Me ftesë të autoriteteve lokale, Kreu i Shtetit vizitoi fillimisht Bashkinë e Plataçit (Pllatën), ku pati një takim me përfaqësues të shumtë të komunitetit arbëresh. Më pas Meta mori pjesë dhe përshëndeti konferencën “Antonio Gramshi – I linduri arbëresh”, të organizuar nga pushteti vendor në bashkëpunim me Institutin “MeMe” (Mezzogiorno- Mediterraneo).
Duke iu drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve ishin Kryetari i Bashkisë së Plataçit, Francesco Tursi, Kryetari i Bashkisë së Spezzano Albanese, Ferdinando Nociti, drejtuesi i Shoqatës “Jeronim De Rada” në Shën Mitër Korona, Giovanni Mazzei, si dhe autori italian me origjinë arbëreshe Mario Brunnetti, Presidenti Meta në fjalën e tij u shpreh:
“Është një kënaqësi shumë e veçantë të jem në Plataçi, në këtë vend të mrekullueshëm dhe me histori të madhe, nga ku vjen dhe origjina e një personaliteti të madh, jo vetëm të Italisë dhe të Europës, por dhe të njerëzimit, siç është arbëreshi Antonio Gramshi, figurë përherë frymëzuese për të gjithë ata që e duan dhe e meritojnë lirinë”.
“Jam shumë i lumtur që rikthehem në Plataçi, në prag edhe të 75-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, për të nderuar nga këtu edhe të gjithë ata italianë, të cilët pas kapitullimit të Italisë fashiste nuk kërkuan thjesht të bënin paqe me fatin e tyre, por u bashkuan në një nga batalionet më të lavdishme, që bëri një emër të madh në luftën kundër nazizmit në vendin tonë, në batalionin “Antonio Gramshi”, duke sakrifikuar edhe jetën për çlirimin e Shqipërisë,” tha Meta, duke falenderuar komunitetin arbëresh që ka ruajtur traditat, ritet fetare, këngët dhe gjuhën e paraardhësve të tyre.
Presidenti mbështeti edhe shqetësimet e ngritura në konferencë.
“Jam shumë dakord me shqetësimet që ngriti kryetari për rëndësinë e zbatimit praktik të atyre ligjeve të mira që janë miratuar në Parlamentin Italian falë edhe kontributit të mikut tonë Brunetti dhe të shumë personaliteteve të tjera, në veçanti për mbrojtjen e gjuhës dhe të mbrojtjes së minorancave kulturore.
Besoj që në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë tuaj, por edhe me qeveritë rajonale ne do të arrijmë të bëjmë më shumë në këtë drejtim për zbatimin në praktikë të këtyre të drejtave sepse ekzistojnë të gjitha mundësitë”.
Kreu i Shtetit vlerësoi edhe figurën e Gramshit.
“Sigurisht karakteri i fortë i Gramshit, vinte edhe për shkak të përkatësisë së tij arbëreshe. Plataçi ka meritën e vet, për arsye se personaliteti ndonjëherë ka shpesh një vlerë shumë të fortë, për t’i bërë idetë e pavdekshme. Botën dhe njerëzimin i çojnë përpara njerëzit me personalitet të fortë, të cilët u rezistojnë presioneve sidomos atyre që vijnë nga pushteti, nga materializmi, nga paraja, nga interesat financiare,” tha Meta.
Ai foli edhe për presionin e globalizmit.
“Sot jetojmë në presione nga më të mëdhatë, dhe një presion është ai që vjen nga globalizimi. E ndjejmë ne që jemi vende më modeste se Italia, por edhe Plataçi e ndjen, edhe Kalabria e ndjen, edhe Jugu i Italisë e ndjen. Prandaj duhet të bëjmë çdo gjë për të ruajtur traditat tona, zakonet tona.
Presioni kryesor i globalizmit është të jepemi pas momentit dhe të harrojmë identitetin, historinë dhe rrënjët tona. Por pa identitet, pa histori, pa rrënjë nuk ka të ardhme. Dhe besoj që ky është mesazhi më i mirë që mund të japim edhe këtu nga Plataçi dhe nga Kalabria,” theksoi Meta.