Europë moj plakë e “tharët”, boll luajte me shqiptarët!

Një nga idiotësitë, në rrugën e hershme të antishqiptarizmit, një nga paturpësitë më të mëdha që luan dhe vazhdon të luaj Europa mbi kurrizin e shqiptarëve, është edhe fakti i thirrjes së njëpasnjëshme dhe herë mbas here i drejtuesve të formacioneve luftarake të Kosovës , nga Gjykata Speciale e Hagës. Dhe e gjithë kjo maskaradë, në emër të “pa-anësinë” e teksa ajo po kompromentohet aq keq e tregohet aq e anësuar, saqë jo vetëm shqiptarët, por dhe opinioni i shëndoshë i njerëzve të ndershëm të kontinentit tonë bile dhe më gjerë, me habi mund të çuditen e të ngrejnë supet nga idiotësi të tilla të cilave është e vështirë t’u gjendet dhe instrumenti matës.

Tashmë, ne shqiptarët u mësuam dhe e kuptojmë fare mirë mentalitetin reaksionar të Europës karshi nesh, sikurse e dimë, fare bukur se origjina e kësaj urrejtje dhe alergjie, ajo e ka trashëgim që nga “Traktati i Shën Stefanit” 1878. Është e vërtetë se tonin këtij traktati për ndarjen e Shqipërisë dhe copëtimin e saj për fqinjët e bëri Rusia, por Evropa aspak nuk e vuri ujin në zjarr dhe u pajtua tërësisht me këtë traktat skllavërues, ku edhe sot ne vuajmë po ato plagë copëtimi, të cilat vazhduan e vazhduan dhe morën formë ligjore, me “Kongresin e Berlinit” po në atë vit. Përgjigjia që Otto Bismarku i dha Abdyl Frashërit se “Nuk ka komb dhe as çështje shqiptare”, ishte vula përfundimtare e fund shekullit të XlX, e cila u vinte kapak ligjor tragjedisë së madhe së shqiptarëve dhe trojeve të tyre. Sikur të mos mjaftonte kjo edhe dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të XX, përsëri Evropa me një ngërdheshje sa cinike, po aq dhe të poshtër, me anë të Konferencës së Londrës me 1913, e cila për ironi të fatit quhet dhe Konferenca e Paqes, nuk bëri gjë tjetër veçse zvogëloi më shumë Shqipërinë, duke e lënë në madhësinë një mini-principate, për të kënaqur orekset e fqinjëve dhe pa folur për Traktatin e fshehtë të Londrës, në prill të vitit 1915, i cili e çonte Shqipërinë gati në kufijtë e mos ekzistencës së saj, të cilën as Konferenca e Paqes në Paris po atë vit nuk e kundërshtoi, përkundrazi i lejuan shtetet fqinje, si Italia, Greqia, Serbia, të merreshin me Shqipërinë në kuadrin e ”Çështjes së Adriatikut”. U desh një histori e shkurtër e përmbledhur, për të treguar se këta dy shekujt e fundit, Europa asnjë herë e ritheksoj se asnjë herë, nuk ka qenë dashamirëse e Shqipërisë. Edhe në ndonjë rast, kur një shtet apo “dopio perandori” (si ajo Austro-Hungareze) “na ka dalë në krah”, më shumë ka patur hallet e influencës së saj, për t’u marrë me kufijtë tanë që donte t’i kishte të sajat, në ëndrrat lakmitare. Ne shqiptarët edhe kur me armët tona u çliruam nga mortaja nazi-fashiste, përsëri kjo Europë e sidomos Parisi, me këmbëngulje të qarqeve shoviniste greke kërkonte të na barazonte dhe radhiste në të njëjtin rang me okupatorët italianë e gjermanë dhe pse gjaku ynë në këtë luftë u derdh lumë. Po ku pyet Europa për gjak dëshmorësh! Pra nuk është një rast i vetëm i shkëputur , por dhe as dy. Kjo është një vijë dhe politikë e njëtrajtshme tepër reaksionare, bile dhe raciste sadiste. Sadiste, sepse lumturinë e vet e ngrejnë mbi fatkeqësitë e popujve të tjerë. Nuk gjendet në historinë botërore shembull i tillë kaq gjakësor, ndaj një populli autokton. Nëse thuhet gjakësor, kjo do të thotë se politika e tkurrjes territoriale dhe pazarllëqet me fatet e Atdheut që ka bërë vet Europa në bashkëpunim me armiqtë tanë lakmitarë e shovinistë, na kanë detyruar që të rrëmbejmë armët për të drejtën tonë, që të jemi të lirë e të pavarur e të barabartë me popujt e tjerë. Por dihet se popujt zgjohen, ata mund t’i mbash të shtypur përkohësisht, mundet dhe në momente të caktuara historike t’i mashtrosh me parulla që fasadën e kanë nacionale të bukur, por thelbin skllavërues. Veçse kjo është një ndodhi e përkohshme, ashtu sikurse ndodhi me shqiptarët e Dardanisë, të cilët në rrugën e tyre të lirisë dhe ëndrrën e bashkimit me Shqipërinë, zbritën në fushën e betejës për të hequr një herë e përgjithmonë zgjedhën e shovinistëve serbë.

Më kujtohet aso kohe Europa, e cila dërgonte emisarët e vet, and e kënd për të na qetësuar duke dhënë këshilla “të urta”, se ne shqiptarët nuk duhet ta kthenim si dikur Ballkanin në fuçi baroti, na këshillonin po “me urtësi” që të luftonim irredentizmin dhe separatizmin, (e para frymëzimi për bashkim – e dyta ndarje e shkëputje nga dikush) na udhëzonin që ta pranonim shtypjen serbe, por dhe serbët i porositnin që t’u jepnin më shumë liri shqiptarëve e “dërrcka” të tjera si këto.

Po pse e bënte këtë Europa? Pse dhe kur filloi lufta çlirimtare, Evropa luante rol të dyfishtë?

Është e qartë, Evropa i trembet shumë Rusisë e cila tashmë, është kthyer në një perandori si dikur ajo e car Nikollës, por ama Rusia ka miqësi tradicionale pansllave me Serbinë, sikurse dhe Franca ka “krushqi shekullore” me Rusinë dhe Serbinë (aristokrati i hershëm rus, një nga kushtet për të qenë i tillë – ishte edhe fakti, se duhej të mësonte dhe të fliste rrjedhshëm frëngjishten). Jo vetëm kaq, por të ndodhur midis dy zjarreve Evropa u ndodh në hall të madh, prandaj dhe NATO-ja bënte herë sikur sulmonte Serbinë, por edhe hera herës sikur ndihmonte shqiptarët e Kosovës. Ajo nuk kishte aspak dhe nuk e zinte meraku për shqiptarët, por nuk donte ta prishte me Rusinë të cilën natyra dhe historia jua u ka vendosur afër shpatullave, gati mbi shpinë! Doemos dhe Rusia ishte kundër luftës çlirimtare, sepse një luftë e tillë, kur popujt rrëmbejnë armët për vetëvendosje as asaj nuk i leverdiste. Nuk i leverdiste, për faktin se Rusia e madhe është një konglomerat popujsh, etnish e gjuhësh të shumta. Nëse Rusia do përkrahte luftën e UÇK, do të ishte e njëjtë sikur të ndizte një zjarr të madh pranë depove të karburantit…!

Amerika vërtet e mbështeti luftën dhe formacionet e UÇK-së, por ashtu sikurse thotë dhe proverbi “kur grinden dy- fiton një i tretë”. Dhe ashtu ndodhi. Europës i leverdiste që në vallen e luftës së Kosovës, të futeshin amerikanët e Atlantikut dhe me këtë rast, kontradiktat midis superfuqive tashmë, nga Europë-Rusi do t’i delegoheshin Amerikës, duke u zëvendësuar në kontradiktën ndër-imperialiste Amerikë – Rusi. Veçse, ne shqiptarët pavarësisht politikës së madhe globale të tyre, ngelëm konseguent në rrugën tonë për çlirim dhe ëndrra e shqiptarëve dardanë, ishte jo vetëm çlirimi prej Serbie, por dhe bashkimi me Shqipërinë. Natyrisht, që luftërat kanë karaktere të ndryshme. Nuk kam ndër mend të zbërthej e trajtoj, se cilat janë luftërat ndër-imperialiste, cilat janë luftrat e drejta ato të padrejta etj.etj. Shkurt, lufta e shqiptarëve dardanë, ishte një luftë e drejtë çlirimtare, e cila hoqi nga qafa zgjedhën shumë shekullore të shovinistëve serbë. Europa nuk e dëshironte këtë, por ne iu imponuam asaj, iu imponua vullneti i një populli që lufton për liri e pavarësi, iu imponua filozofia, se kur popujt zbresin në fushën e betejës, nuk ka forcë që të mposhtë idealin e tyre për liri, pavarësi dhe dinjitet kombëtar. Europa nga kjo tmerrohet, sepse “de facto” ajo është kundër këtyre aspiratave të popujve. Në kuadrin e ruajtjes së “statusquo-së” dhe marrëveshjeve të heshtura ndër-imperialiste, por dhe për të qetësuar rivalin e vet Rusinë (plus Serbinë), ajo si për t’u hequr “e paanshme” na merr e thërret në Hagë ish-drejtuesit e UÇK-së, ashtu sikurse bëri një herë e një kohë me kriminelin e luftës Sllobodan Millosheviçin, Mladiçin dhe viçat e tjerë kriminelë që i kanë duart me gjakun e popujve sllovenë, kroatë, boshnjakë e shqiptarësh. Ku e ka hallin Evropa? Si mundet ajo të vendosi në të njëjtën balancë udhëheqësit ushtarakë të UÇK-së, të cilët luftuan me gjeneralët prepotentë e sadistë deri në qelizë, e kriminelë me damkë të ish-Jugosllavisë pushtuese? Nëse do të ecej me këtë logjikë, atëherë për rrjedhojë dhe Gjyqi i Nurembergut përveçse gjeneralëve nazistë, duhej të kishte thirrur për gjykim dhe Stalinin, Churchillin, Roosveltin, Zhukovin, Ajzenhaeurin e Montgomerin dhe gjithë gjeneralët fitimtarë të Luftës së Dytë Botërore. Kanë kaluar 20 vjet nga lufta çlirimtare e shqiptarëve dardanë, por mesa duket e kuptohet, Europa nuk e ka inatin me Serbinë pushtuese, jo aspak! Ajo inatin e ka me fitimtarët e luftës, me shqiptarët prandaj thërret herë mbas here ish-drejtuesit e shtabit të luftës çlirimtare të Kosovës , si Limaj , Syla, Haradinaj, Veseli, bile dhe vet Thaçi është akuzuar nga Dick Marty dhe lista e akuzave të Hagës “për kriminelët e çlirimit” e kalon shifrën mbi 100 luftëtarëve. Po a e dini ju të nderuar lexues se nga i merr listat Haga? Ato lista i përpilon Beogradi. Po vet Haga ku e ka qëllimin e saj? Kuptohet dhe është tejet e qartë se luftën e bijve të shqipes, ajo aspak nuk e quan çlirimtare, sepse nëse do të ishte e tillë, sanksionet i duheshin vendosur Serbisë, atje duhet të vendoseshin organizmat gjasme “paqeruajtëse” sepse Jugosllavia e Titos dhe e pas Titos, madje që nga koha e krajlëve ka qenë, është dhe për sa kohë do të jetë i gjallë e të ekzistojë shovinizmi serb, ka për të ngelur një rrezik eminent, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për popujt e tjerë fqinjë të këtij rajoni. Fuçia dhe baroti i këtij gadishulli gjendet në Ballkan, veçse fitilat dhe urat në rolin e zjarrvënësit i kanë patur historikisht në dorë Evropa dhe Rusia. Ata vazhdimisht i kanë ndezur ato, për interesat e tyre dhe jo të popujve. Kurrë dhe për asnjë moment Evropa imperialiste, nuk i ka dashur dhe as që i do popujt. Jo! Ajo as nuk ka patur dhe as nuk ka miq, ajo ka vetëm interesa ekonomike dhe gjeo-strategjike. Nëse vërtet ajo do të ishte kaq dashamirëse me shqiptarët , nëse ajo do të korrigjonte një herë e mirë padrejtësitë historike që na janë bërë, do të ishte vet e para, cila do të zbatonte dokumentat që hartonte, firmoste dhe vuloste vet për të ashtuquajturën “të drejtën e lirisë së popujve për vetëvendosje”. Por jo , ajo jo vetëm që nuk i lejoi shqiptarët dardanë të bashkoheshin me Shqipërinë, por me aktet e saj përbuz luftën çlirimtare, gjakun dhe sakrificat e një populli që u dogj nga flakët e luftës, teksa ajo qëndronte vëzhguese duke ngrohur trupin e saj… të pa turp. “Këshilltarja” Europë që na mëson ne, se si duhet të mësojmë, të jetojmë, të punojmë, të durojmë, të mos luftojmë, arriti deri në atë pikë, sa të mos i lejonte shqiptarët e Shqipërisë të ndihmonin me forca të armatosura vëllezërit e tyre (dhe lepujt servilë të Shqipërisë ju bindën si qeveria kuislinge në kohën e fashizmit). Ajo jo pa qëllim nuk e lejoi Shqipërinë, se gjasme nuk do të dëshironte të zgjerohej konflikti. Ajo kishte synime më të largëta. Europa e kuptonte fare bukur se rreshtimi në krah i Shqipërisë e bënte më të lehtë bashkimin. Kështu që këtë mision “ndihme” e mori vet përsipër, me qëllim që në të ardhmen të dominonte në situatën e pas lufte, sikurse dominoi, për krijimin e kushteve dhe formimin e një palo shteti kosovar (por jo shqiptar), një palo flamuri (edhe ky jo shqiptar), një palo himni (edhe ky jo shqiptar) dhe një palo qeverie me shqiptarë kuislingë, të cilët shkelën dhe harruan betimin e tyre dhe të bashkëluftëtarëve të tyre, që dhanë jetën për Dardaninë e bashkuar me Shqipërinë. Ky nuk është nacionalizëm i ngushtë i shqiptarëve, por është nocion atdhedashurie, është e drejta e jonë për ekzistencën e gjuhës tonë, e tokës mëmë, ku ndër shekuj kemi të rënët dhe të gjallët e historisë. Aspak nuk më çudit fakti se përse nuk na pranon Evropa. Se mos Haga e Holandës na ka dashur e na do? Mos vallë Parisi filo-rus është dashamirës? Puna është se qarqet drejtuese shqiptare përkëndej Atdheut dhe matanë tij, pajtohen me lojërat e Europës. Në mënyrë të rreptë e dinjitoze, si qeveria kuislinge e Shqipërisë dhe ajo kuislinge Kosovës, nëse u ka ngelur pak dinjitet kombëtar, duhet t’ia refuzojë Hagës çmenduritë e saj, për të thirrur në gjyq trimat çlirimtarë. Boll po e nëpërkëmbin shqiptarin dhe nuk duhet ta zemërojnë, sepse nëse një ditë do të zemërohet keq shqiptari, merr flakë e zjarr edhe stërralli. Sikurse vërehet edhe në këtë rast me veprimet e saj, Europa ngelet ajo e qëmotit, me fitilin dhe urën e zjarrit në dorë, do ta kthente Ballkanin në fuçi baroti. Se si do të rridhnin më vonë ngjarjet…. do ta tregonte historia! Prandaj boll zuska plakë e thartë, me të tuat marrëzira boll luajte me shqiptarët!

Nga Ylli Meçe

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Loading...