Partia Demokratike ka sulmuar kryeministrin Edi Rama në lidhje me vakancën në Gjykatën Kushtetuese.
Përmes një deklarate për mediat, sekretari për çështjet ligjore Çlirim Gjata deklaroi se Rama ka vetëm dy opsione, ose ta kapë organet e reja te drejtesise, ose të bllokojë ngritjen e saj.
Mes të tjerash në emër të PD Gjata tha se akti më i rëndë i Ramës është emërimi i paracaktuar i anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese.
E GJANËS
Edi Rama nuk ka asnjë qëllim të ngrejë institucionet e reja të pavarura të drejtësisë. Edi Rama nuk ka për qëllim të respektojë Kushtetutën për krijimin e Gjykatës Kushtetuese. I vetmi qëllim i Edi Ramës është ai që ka patur prej fillimit – të kapë organet e reja të drejtësisë. Ai po e bën këtë haptazi me Gjykatën Kushtetuese, duke shkelur ligjin dhe kushtetutën në mënyrë flagrante për të paracaktuar anëtarët e rinj të saj, njësoj siç paracakton fituesit e tenderave. Në të kundërt, ai është gati ta bllokojë dhe të fusë në ngërç ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
I gjithë procesi ka patur makinacionet e veta teknike të pista, antiligjore për të çuar në përfundimin që do Edi Rama, por akti më antikushtetues i tij është emërimi i paracaktuar i anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese.
Kushtetuta e Shqipërisë e thotë qartë se për të ruajtur balancën mes pushteteve në Gjykatën Kushtetuese, anëtarët e saj zgjidhen me radhë, i pari nga Presidenti, i dyti nga Kuvendi, i treti nga Gjykata e Lartë.
Ky rregull ndiqet për çdo vend vakant, derisa Gjykata Kushtetuese të plotësohet, por Edi Rama ka vendosur ta shkelë Kushtetutën nesër, duke zgjedhur 2 kandidatë njëherësh. Një akt që do të çojë ose në kapjen e Gjykatës Kushtetuese, ose në bllokimin e saj.
Në respekt të Kushtetutës, Presidenti e ka zgjedhur 1 anëtar, por Edi Rama, nëpërmjet veglës së tij Ardian Dvorani në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi ka imponuar një proces të paligjshëm dhe antikushtetues. Rama dhe Dvorani tentuan të detyrojnë Presidentin të zgjedhë sërish një anëtar nga lista e tij me 4 emra, kur, sipas Kushtetutës radha i takonte Parlamentit.
Duke qenë se kandidaturat tek lista e Presidentit dhe tek Lista e Kuvendit janë të njëjtat, Presidenti, me të drejtë, ka kërkuar që Kuvendi të zgjedhë anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë, respektohet Kushtetuta për rradhën e emërimeve dhe shmanget paracaktimi i fituesve, duke garantuar një garë minimale.
Duke zgjedhur dy anëtarë direkt, pa respektuar radhën e Presidentit, aq më tepër kur njëra nga listat nuk ka tre emra, Kuvendi i pamundëson Presidentit të dekretojë anëtarin sipas Kushtetutës dhe dërgon në këtë Gjykatë ata anëtarë që i Shërbejnë politikisht.
Qëllimi prapa qendrimit antikushtetues të Edi Ramës i shërben atij të kontrollojë sa mundet kush do të jenë anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Por jo vetëm kaq. Duke shkelur Kushtetutën, Edi Rama është përgjegjës për një përplasje të re kushtetuese, që për pasojë do të këtë bllokimin e Gjykatës Kushtetuese nga Edi Rama dhe ëvnien në pikëpyetje të legjitimitetit të saj.
I gjithë procesi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese është kryer nga KED dhe Ardian Dvorani në shkelje të ligjit, por për të ruajtur integritetin e Gjykatës Kushtetuese, Partia Demokratike zgjodhi të mos e politizojë procesin, duke mos i komentuar këto shkelje ligjore me qëllime politike. Tani, me përfshirjen e Parlamentit në shkeljen e hapur të Kushtetutës nga Edi Rama, Partia Demokratike vlerëson se ky akt është i papranueshëm dhe dëmton besimin e publikut tek organet e reja të drejtësisë dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese