Rilindja spektakolare e Parkut Kombëtar të Divjakës

Peizazhi magjepsës, ku harmonizohen bukur dielli, deti dhe pylli mund të shijohen në Parkun Kombëtar të Divjakës.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga transformimi i këtij parku, që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas e të huaj.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga rilindja spektakolare e Parkut Kombëtar të Divjakës, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Plazhi, laguna dhe pylli që e rrethon janë tre asetet kryesore të zhvillimit të turizmit në Divjakë, krahas monumenteve të kulturës që ndodhen në zonë.

Bashkia e Divjakës gjatë sezonit turistik ofron një guidë prej 5 km në Parkun e Divjakës, ku vizitorët njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut.

Vrojtimi nga kulla panoramike kur qielli është i kthjellët shkon edhe më thellë deri në Malin e Tomorrit.

Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995./atsh

Loading...