Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili ka pritur në një takim në zyrën e tij përfaqësuesit e kësaj kompanie.
Kryetari Leli u ka shpjeguar ofertat turistike të qytetit të Vlorës, duke vënë në dukje potencialet natyrore, të cilat duhet të jenë pjesë e rëndësishme e eksplorimit gjatë sezonit veror, por edhe gjithëvjetor.
Leli u ndal në qëllimin e përbashkët për të përgatitur qytetin dhe infrastrukturën e nevojshme për të mirëpritur 100 mijë turistët e kompanisë së lundrimit “Costa Crociera”.
Si fillim, delegacioni i Costa Crociera është ndalur në portin e Vlorës, shoqëruar nga numri një i Bashkisë Dritan Leli. Ata kanë parë nga afër kushtet portuale si dhe ndërhyrjet e nevojshme që kërkohen për të përballuar kapacitete të tilla të mëdha turistike dhe sidomos kroçera të mëdha.
Më pas ata vizituan Zvërnecin, lagunën e Nartës, Manastirin, Kalanë e Kaninës, si dhe shumë zona të tjera. Përfaqësuesit e kompanisë “Costa Crociera” janë mahnitur nga bukuritë natyrore që fsheh jugu dhe e gjithë Shqipëria.
“Costa Crociera” është një nga investitorët më të rëndësishëm që kanë mbërritur ndonjëherë deri më sot në qytetin e Vlorës. Zhvillova një takim me përfaqësuesit e kësaj kompanie që është një nga shoqëritë më të mëdha tregtare dhe turistike që shpërndan turistë në të gjithë botën”, – tha Leli.
Kryebashkiaku Leli u shpreh se “premtimi i tyre ishte që në momentin që ne të realizojmë ato problematika të vogla, të cilat duhet të rikonstruktojmë së bashku me mbështetjen e qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama, për të pasur një infrastrukturë të denjë dhe për të sjellë në sezonin e parë që ata do të mbërrijnë në Vlorë rreth 100 mijë turistë”.
Për këtë, vijoi Leli, absolutisht duhen burime financiare dhe mbështetje e jashtëzakonshme që nuk kanë munguar asnjëherë për Vlorën, por mbi të gjitha duhet mbështetje në infrastrukturë.
“Costa Crociere” është sot kompania kryesore e lundrimit në Europë. Historia e saj fillon nga familja Costa, e cila e themeloi atë më 1854 si një kompani për tregtimin e vajit të ullirit dhe pëlhurave në Mesdhe dhe jashtë saj. Pas Luftës së Dytë Botërore, kompania i bëri më të larmishëm aktivitetet e saj dhe filloi transportin e udhëtarëve. Vetëm prej vitit 1985 e në vazhdim me inaugurimin e anijes Costa Riviera, kompania COSTA u bë një SH.A.dhe u dedikua ekskluzivisht në industrinë e kroçerave, duke u bërë një kompani e tregtuar publikisht në vitin 1989.
Gjatë viteve ’90 rriti numrin e udhëtarëve në mënyrë të konsiderueshme falë ndërtimit të anijeve të reja dhe fushatës reklamuese televizive./atsh