Moti i keq me reshje shiu dhe erë të fortë ka shkaktuar probleme në disa qytete të vendit.
Vlora vijon të jetë rajoni më i prekur.
Reshjet e shiut, shoqëruar me stuhi dhe shkarkesa atmosferike kanë shkaktuar dëme të shumta.
Një ditë më parë, aksi rrugor në Llogara u bllokua për më shumë se 4 orë, për t’ju rikthyer normalitetit paraditen e së mërkurës.
Dëmtimi i rrjetit elektrik ka lënë pa ndriçim disa zona të tilla si Narta, Himara, Dhërmiu, Qeparoi, Kudhës, Rradhimën dhe Selenicën. Edhe disa fshatra të Gjirokastrës janë pa energji elektrike.
Trageti i linjës Vlorë-Brindisi prej dy ditësh nuk ka lundruar. Edhe anijet e peshkimit nuk janë lejuar të dalin në det të hapur me dallgë deri në 8 ballë.
Probleme ka patur edhe në Himarë. Stuhitë kanë shkkatuar probleme në plazhin e Livadhit dhe Spillesë.E tillë vijon situata edhe në Durrës, ku tragetet janë nisur me disa orë vonesë, ndërsa anijet e peshkimit nuk lejohet të dalin në det.
Sipas sinoptikanëve, reshjet e shiut priten të kenë ndërprerje për t’u rikthyer të dielën pasdite.
I gjithë Nëntori do të mbyllet me temperatura 2 gradë mbi normalen i shoqëruar me reshje shiu. Në disa qytete pritet të shkaktojnë dhe përmbytje.