Kombëtarja ka mbyllur sot përgatitjet me një seancë paradite në Durrës, që ka shërbyer për të njohur skuadrën përfundimisht me formacionin që do të luajë në orën 20:45 ndaj Andorrës në stadiumin “Elbasan Arena”.
Trajneri Edi Reja ka bërë disa ndryshime, duke lënë titullarë të rëndësishëm jashtë formacionit, kjo edhe për t’i ruajtur për ndeshjen e së dielës ndaj Francës. “Panorama Sport” mëson se me skemën 3-5-2, mbrojtja konfirmon Ismajlin, Gjimshitin dhe Veselin. Në qendër të mesfushës risitë janë Ramadani dhe Ndoji, ndërsa nga krahët do të luajë Roshi dhe Trashi.
Si titullarë do ta nisë edhe Memushaj, i cili kishte shfaqur shqetësime pas një goditje në brinjë që kishte marrë në ndeshjen e fundit me Peskarën në Serinë B.
Ndërsa dyshja e sulmit do të përbëhet nga Manaj dhe Balaj, duke bërë kështu shtyrjen e debutimit për Florian Kamberin, i cili u dëmtua dje në kavilje dhe gjasat janë të mos grumbullohet fare për këtë takim.
Ndërkohë, deri pak orë para ndeshjes në dyshim vazhdon të jetë porta, por Berisha duket më i avantazhuar të jetë titullar sot ndaj Andorrës.