Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga Ura Vajgurore në bashkëbisedim me fermerët e zonës iu përgjigj edhe zërave kritikë , të cilët kanë fajësuar opozitën.
Ai tha se opozita nuk është aspak e dobët, por vendimi për të djegur mandatet kishte si qëllim ekspozimin e të keqes në sytë e partnerëve perëndimorë.
Ai kritikoi kryeministrin Edi Rama, ndërsa kërkoi prej banorëve ta mbështesin me votë. Lideri demokrat tha se shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen që mos të shesin votën, por ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese në mënyrë të pavarur. Sipas tij, nëse nuk shitet vota dhe qytetarët bëhen bashkë, kjo qeveri rrëzohet brenda 24 orësh.
“Përpara keni një kandidat që di dhe do t’ju ndihmoj. Unë nuk flas me batuta, por unë di se çfarë flas. Opozita nuk është e dobët, por ka marrë vendimet të forta.
Atë që kishim në dorë, atë kemi bërë. Sot ka dy mënyra: Një të bësh sikur bën teatër sikur ata, asgjë s’kishim për të ndalur. Gjeja tjetër ishte për të treguar se çfarë bëhet në këtë vend.
Sot ke parlamentin e Bundestagut që thotë se në Shqipëri ka krizë dhe pa zgjidhur krizën nuk ka BE. Kjo ishte arritje e opozitës, por edhe e juaja që mbështetet opozitën.
Sot në tryezë është shtruar çështja se si zgjidhet kriza, sigurisht me zgjedhje, përmes votës tuaj. Përgjegjësia më e madhe është për të ruajtur votën tuaj. Nëse bëhemi bashkë, kjo qeveri bie brenda 24 orë. Nëse nuk e shet votën, ky regjim merr fund.
Doni një despot otoman me tuta që t’ju shalojë, apo një alternativë që vjen me program? Unë vetëm nuk kam çfarë të bëj. Partia ime ka dorëzuar të gjitha pushtetet për tu rreshtuar në krahun tuaj.
Unë nuk bëj batuta, nuk bëj fotografi me Ronaldon, por jetoj me ju çdo ditë. Thyejuni turinjtë atyre që vijnë për t’ju blerë votën, dhe të mos tërhiqemi për asnjë centimetër dhe ta çojmë këtë betejë deri në fund”-tha mes tjerash, Lulzim Basha.