1 milion e 200 mijë analiza e kontrolle falas nga check-up

Politika ka lindur në mënyrë që njerëzit së bashku të bëjnë gjëra që vetëm nuk mund t’i bëjnë dot, deklaroi sot kryeministri Edi Rama.

Në një aktivitet të organizuar në Lushnjë për anëtarësimet e reja në Partinë Socialiste me të rinj e të reja të këtij qyteti, kryeministri theksoi se “aktivizimi nuk është diçka e keqe, politika ka bërë shumë të këqija në historinë e njerëzimit edhe në Shqipëri, por politika ka bërë mrekullira që ndryshe nuk do të bëheshin. Bashkimi Europian nuk do të ekzistonte , Shtetet e Bashkuara nuk do të ekzistonin nëse nuk do të ekzistonte politika, por as demokracia nuk do të ekzistonte nëse nuk do të ekzistonte politika”.

“Aktivizimi qytetar bën dallimin mes një njeriu të mirë dhe një qytetari të mirë. Një njeri i mirë nuk është domosdoshmërisht një qytetar i mirë. Një njeri i mirë nuk i bën dëm askujt dhe sillet mirë me të gjithë por një qytetar i mirë është një njeri që nuk pajtohet me gjithçka shikon rreth e rrotull dhe që përpiqet të japë një kontribut”.

“Por si mund ta japë kur nuk ka të tjerë. Atëherë politika i ka dhënë njeriut mundësinë që të bëhet bashkë me të tjerë duke nisur nga ide të përbashkëta , nga qëllime të përbashkëta dhe kështu është krijuar edhe spektri sepse disa kanë ide e këndvështrim të caktuar dhe të tjerë kanë një këndvështrim tjetër”, nënvizoi Rama.

Kryeministri tha se për t’u kthyer tek aktivizimi shumë njerëz thonë që mos më fol për politikë se nuk dua të dëgjoj, në rregull, por është iluzion të mendosh se po nuk u more t’i me politikën ke shpëtuar, sepse politika merret me ty, vendos për ty”.

Sipas tij, në sa më pak duar të lihet dhe sa më larg të qëndrojnë njerëzit aq më shumë mund të bëjë dëme, ndërkohë që sa më shumë njerëz të përfshihen aq më shumë politika vendos në mënyrën e duhur.

“Nëse duam të shikojmë sesi ndikon pjesëmarrja jote apo vota jote është shumë e thjeshtë , mjafton të bëjmë dallimet e krahasimet mes një situate e një tjetre”.

Kryeministri Edi Rama duke sjellë disa shembuj sesi nuk janë të gjithë politikanët njësoj tha “po ju jap një shembull shumë të thjeshtë. Ne vendosëm të mbyllnim kazinotë e bastet në mënyrë që djemtë të mos shkojnë në lloto dhe të lënë lekët që prindërit mezi i nxjerrin. Por, a do të mbylleshin kazinotë e bastet nëse vota do të kishte prodhuar një shumicë tjetër, të kishte nxjerrë një qeveri tjetër. Jo nuk do të mbylleshin, sepse nuk u mbyllën dot kur votat kishin prodhuar një shumicë tjetër në mandatin e shkuar. Jo vetëm nuk u mbyllën, por votat kishte prodhuar një tjetër shumicë një mandat më parë. Por, ndodhi diçka shumë e rëndë”.

“Ndodhi që nga taksat që ishte 25% për kompanitë dhe 15% për çdo lojtar që fitonte skedinën apo rezultatin, u bë 10% për kompaninë dhe 0 taksë për lojtarin. I nxiti të gjithë të shkonin dhe të shumëfishonin humbjet , duke hedhur para atje, sepse ishte vota që nxori një qeveri që hoqi taksat dhe që stimuloi marrëzinë.  Marrim shembuj plot se çfarë bën vota , ti thua unë nuk shkoj të votoj se janë të gjithë njësoj? Po të ishin të gjithë njësoj sot do të vazhdonte marrëzia e basteve dhe kazinove”, nënvizoi Rama.

Po të ishim të gjithë njësoj, vijoi ai,  sot nuk do të bëhej çeku i bebes 400 dollarë nga 50 dollarë që ishte, apo çeku për fëmijën e dytë 800 dollarë nga 50 dollarë që ishte, apo i bebes së tretë në 1200 dollarë nga 50 dollarë që ishte.

Kreu i qeverisë u shpreh se “po të ishim të gjithë njësoj sot nuk do të kishte kontroll mjekësor bazë falas për të gjithë qytetarët dhe nuk do të ishin bërë 1 milion e 200 ca mijë analiza e kontrolle falas. Po të ishin të gjithë njësoj nuk do të kishte këtë vit libra falas nga klasa e parë në të katërt , vitin tjetër në të pestën dhe pastaj deri në të nëntën”.

  • “Po të ishin të gjithë njësoj Lushnja do të ishte njësoj siç ishte kur ne fituam mandatin për ta qeverisur . Do të ishte njësoj edhe Divjaka, por nuk është njësoj. Kur hyje në Lushnjë para disa kohësh ishte sikur hyje në një zonë lufte, ku nduk dihej sesi do te dilje nga pamja e tmerrshme e hyrjes”, tha Rama. /atsh
Loading...