Pak minuta më parë burime pranë opozitës parlamentare bënë me dije se presidenti Ilir Meta ka pritur në zyrën e tij deputeten Rudina Hajdari, e cila dje i kërkoi Kuvendit që ti përgjigjej kërkesës së Presidentit për bashkëpunim për mënyrën e votimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në lidhje më këtë takim ka reaguar zëdhënësi për mediat në presidencë, Tedi Blushi, i cili njofton se Meta do të kërkojë takim me të gjithë kryetarët e Partive Parlamentare që braktisën Kuvendin në shkurt 2019, për të diskutuar lidhur me situatën dramatike ku ndodhet vendi.
“I pyetur nga gazetarët lidhur me një lajm që qarkullon në media për një sërë nismash dhe vendimesh shumë të rëndësishme që do të ndërmarrë në ditët në vijim Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, Këshilltari për Mediat dhe Zëdhënësi z.Tedi Blushi bën me dije se:
Presidenti Meta do të kërkojë takim me të gjithë kryetarët e Partive Parlamentare që braktisën Kuvendin në shkurt 2019, për të diskutuar lidhur me situatën dramatike ku ndodhet vendi. Padyshim do të ketë edhe të tjera inisiativa, vendime dhe takime shumë të rëndësishme!”- njofton zëdhënësi për mediat i presidentit Meta, Tedi Blushi.
Kujtojmë se ditën e djeshme presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, njoftoi se do të kallëzojë penalisht në prokurori të hënën kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtesi, Ardian Dvorani, për shpërdorim detyre dhe përvetësim i titullit, apo detyrës shtetërore gjatë procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti Meta tha se prej afro dy vjetësh u ka bërë përpjekje dhe thirrje gjithë institucioneve për respektimin e Kushtetutës dhe ligjit, në mënyrë që zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të ishin në përputhje me Kushtetuës dhe ligjit.
Sipas tij kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, ka bërë disa shkelje të rënda, që cënuan legjitimitetin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, uljen e besimit të publikut te kjo gjykatë dhe zbatimin të reformës në sistemin e drejtësisë.