Këtij qëllimi i shërbejnë edhe takimet me komunitetet. Pas tryezave me bizneset e shërbimeve turistike në Ksamil e Sarandë, turi i kryebashkiakut Adrian Gurma, u ndal ditët e fundit në zonat rurale që janë pjesë territoriale e kësaj bashkie.
“Nuk është e rastit që takimet tona për të diskutuar për projektin e buxhetit të ri, nisin nga Metoqi”, u është drejtuar banorëve të këtij fshati të madh kryetari Gurma, duke arsyetuar se kjo fuqi prodhuese që gjendet këtu meriton mbështetje më të madhe dhe se banorët e Metoqit duhet të jetojnë pa dallime thelbësore nga ata të qytetit.
Dëgjesa publike me fermerë dhe banorë të Metoqit, evidentoi disa problematika dhe nevoja per investime si vijëzimi i rrugëve kryesore të fshatit, ku lidhen me rrugën nacionale, kanali ujitës në bllokun 6, është i rrënuar, ndërtimi i një këndi lojërash për fëmijë, jeta kulturore në fshat është zero, kinoteatri i dikurshëm nuk prodhon, 4 segmente rrugësh që lidhin me rrugën kryesore, prej 600 ml, duhen rikonstruktuar, etj.
Pasi u njoh me këto kërkesa e sugjerime, Gurma u tha banorëve të Metoqit se ato do të përzgjidhen dhe së bashku me ta bashkia do të vendosë prioritetet në investimet që përfundimisht do të planifikohen për t’u përballuar nga buxheti i bashkisë për vitin e ardhshëm.
Ndërsa në takimin me banorë të fshatit Cukë, ata janë fokusuar në kërkesa të lidhura me pretendimin për cilësi më të mirë jetese, por edhe për t’i çelur vetes perspektivë për zhvillime dhe pritje turistike.
Kryebashkiaku Gurna e cilësoi fshatin Cukë si paradhomën e turizmit të Sarandës.
Ai u tha banorëve se përfshirja e Cukës në projektin e 100 fshatrave, është një mundësi më shumë për këtë perspektivë të afërt turistike.
Kryetari Gurma ka vlerësuar se të gjitha mendimet e shfaqura dhe propozimet e bëra, do të donim t’i bënim pjesë të buxhetit të ri.
Por mundësitë, shtoi ai, janë për të mbuluar një pjesë prej këtij grupi kërkesash.
“Prandaj prej tyre do të përzgjidhen më prioritaret dhe përmes takimeve e këshillimeve që do të vazhdojnë me publikun, do t’u jepet radhë përmirësimeve në infrastrukturë sidomos për Cukën, që realisht është lagje e Sarandës”, tha Gurma/atsh