Monodrama “Johan Padan dhe Amerikat” mirëpritet nga publiku gjirokastrit

Monodrama “Johan Padan dhe Amerikat” e Dario Fo, me regji të Milto Kutalit dhe interpretuar nga Arben Derhemi u mirëprit mbrëmjen e djeshme nga artdashësit gjirokastritë.

E shfaqur në teatrin “Zihni Sako” të qytetit të gurtë, kjo vepër e cila ka shënuar sukses të jashtëzakonshëm edhe në kryeqytet, u duartrokit gjatë nga publiku i ndodhur në sallë.

Nën interpretimin e shkëlqyer të aktorin Arben Derhemi, kjo monodramë ngre probleme e përcjell mesazhe të rëndësishme shoqërore, si dashuria për njeriun dhe për jetën në sytë e një mashtruesi që gjendet përballë situatave të ndryshme.

Në këtë aventurë e cila zgjati 1 orë e 40 minuta, aktorit i vjen në ndihmë një skenografi minimaliste realizuar nga Beqo Nanaj. Kjo monodramë është një nga shfaqjet më të suksesshme të teatrit shqiptar dhe mesazhet që përcjell janë njerëzore dhe mbarëbotërore.
Heroi i veprës është Johan Padan, i cili ndjen nevojën që të rrëfejë udhëtimin e jetës së tij. Nuk do shumë mend që Johan Padan është një mashtrues.

Shumica e atyre që thotë, me gjasë janë të fryra, por mes tyre ama ka shumë të vërteta të tipit që fetë e mëdha nuk u përhapën thjesht përmes paqes, që zhvillimi ka me vete edhe luftën e shkatërrimin, se përtej mallit për vendin e lindjes, ndonjëherë është më mirë të kalosh gjithë jetën në mërgim se i pavlerësuar, se njerëzit e zymtë nuk bëjnë as për t’u ngrënë nga kanibalët se të lënë në gojë një shije të keqe./atsh

Loading...