Ambasada e Shqipërisë organizon me 13 ambasadorë vizitë njohëse në Gjakovë

Me iniciativë të Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, trembëdhjetë ambasadorë të vendeve të ndryshme të botës kanë qëndruar sot në komunën e Gjakovës në një vizitë njohëse.

Ata janë pritur nga kryetari i komunës, Ardian Gjini, i cili i ka shoqëruar gjatë vizitës në pjesën historike të qytetit të Gjakovës dhe vende e monumente historike të këtij qyteti.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha se ky organizim është bërë për ta njohur më mirë Kosovën, meqë ka qenë një dëshirë e ambasadorëve që ta vizitojnë këtë qytet.

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se institucioni që ai drejton ka marrëdhënie të mira me të gjitha përfaqësitë diplomatike në Kosovë.

Bashkë me ambasadorët e vendeve të ndryshme të botës, ishte edhe ajo e Bashkimit Europian, Natalya Apostolova.

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel, tha se ka qenë në Gjakovë më parë për të marrë pjesë në një seminar, por që nuk kishte pasur mundësi ta shëtisë qytetin dhe të shihte vendet që vizitoi sot.

13 ambasadorët që vizituan sot Gjakovën, fillimisht qëndruan në Muzeun Etnografik të qytetit, pastaj vazhduan në pjesën e vjetër historike të Gjakovës./KosovaPress/

Loading...