Opinioni publik është tronditur dy ditët e fundit pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Rrëshen ku një student 23-vjeçare, i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i fundit i pallatit të saj.
Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së enjtes, ndërsa vajza quhet Adela Gjoka.
Ajo ka humbur menjëherë jetën nga plagët e marra, pavarësisht tentativës së fqinjëve për t’i dhënë ndihmën e parë.
Sipas burimeve, kur ka ndërmarrë aktin ekstrem, e reja ka qenë vetëm me gjyshin e moshuar në banesë, pasi dy prindërit ishin në punë. Studentja ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën me çelës dhe më pas ka lidhur sytë me një shami e është hedhur nga dritarja.
Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë dëgjuar zhurmën dhe kanë dalë jashtë dhe parë trupin e gjakosur të vajzës.
Sipas dëshmisë së babait të vajzës, 23- vjeçarja ka qenë studente në degën e Inxhinierisë dhe kishte vetëm 2 provime të mbartura për t’u diplomuar. Fakti që nuk ka arritur t’i marrë këto provime e kishte shqetësuar shumë vajzën gjatë kohëve të fundit. Madje, gjatë 4 ditëve të fundit ajo ka qenë shumë e stresuar dhe nuk ka konsumuar as ushqim.
Kjo situatë i kishte shqetësuar familjarët, të cilët gjatë ditës së enjte e kanë dërguar vajzën në urgjencën e spitalit për mjekim, por ajo nuk ka pranuar të marrë as serumin dhe së bashku me të atin është rikthyer në banesë.
Sapo prindërit janë larguar nga shtëpia, ajo i ka dhënë fund jetës, duke u hedhur nga kati i 11-të i pallatit. Ngjarja ka tronditur të gjithë qytetin e vogël të Rrëshenit, pasi 23-vjeçarja njihej si vajzë e qetë dhe mjaft kërkuese për të ardhmen e saj, por që fundi rezultoi tragjik. Nga ana tjetër, familja ishte në vështirësi ekonomike, duke sakrifikuar për të shkolluar 23-vjeçaren, e cila ishte vajza e vetme e tyre.