Ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu, tha se projekti i Unazës së Re, që sipas tij, po shkatërron shtëpitë e qindra familjeve për vjedhjen e disa milionë eurove dhe ndërtimin e disa komplekseve me pallate, është pa një leje të vlefshme ndërtimore.
Balliu tha në një deklaratë për media se PD ka publikuar dokumente dhe të dhëna që tregojnë se ky projekt u nis për të vjedhur, ku sipas tij, “Rol kyç në skemën e vjedhjes me projektin e Unazës së Re ka Agjencia e Rrugëve, e cila, në kundërshtim me ligjin e sponsorizimeve, ka pranuar si dhuratë një projekt të gatshëm mbi 1 milionë euro nga kompania AVE CONSULTING”.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, KLEVIS BALLIU
Projekti korruptiv i Unazës së Re, që po shkatërron shtëpitë e qindra familjeve për vjedhjen e disa milionë eurove dhe ndërtimin e disa komplekseve me pallate në të njëjtin vend është pa një leje të vlefshme ndërtimore.
Që prej një viti, Partia Demokratike ka publikuar dokumenta dhe të dhëna që tregojnë se projekti i Unazës së Re u nis si një projekt për të vjedhur, duke shkelur disa nga rregullat kryesore për ndërtimin e një vepre të tillë.
Rol kyç në skemën e vjedhjes me projektin e Unazës së Re ka Agjencia e Rrugëve, e cila, në kundërshtim me ligjin e sponsorizimeve, ka pranuar si dhuratë një projekt të gatshëm mbi 1 milionë euro nga kompania AVE CONSULTING.
Dokumentat provojnë se projekti teknik eshte jo i plotë. Atij i mungon studimi topografik, gjë që vërtetohet nga shkresa e 16 Tetorit 2018 e Autoritetit Kombëtar të Rrugëve.
Një shkresë tjetër, e 11 Dhjetorit 2018 e Ministrisë së Infrastrukturës, tregon kompania “AVE CONSALTING” ,që ka sponsorizuar projektin, në kundërshtim me ligjin, nuk ka drejtues teknik në fushën e gjeodezise. Ky është një fakt shtesë për mungesën e studimit topografik, pa të cilin nuk mund të projektohen detajet e zbatimit të projektit.
Mungesa e këtij studimi sjell pasoja juridike në pavlefshmërinë e lejes së ndërtimit të projektit që kushton 20 milionë euro për 1 kilometër. Duke mos patur një studim të fazes së parë të projektit, shkaktohet edhe një dëm i madh ekonomik, pasi volumet e punës llogariten keq, aksi i rrugës zhvendoset sipas interesave korruptivë të momentit dhe rritet kostoja e punimeve.
Përveç anës teknike, që bën të pavlefshëm lejen e ndërtimit, në këtë çështje ka edhe një konflikt të pastër interesi të kompanisë që gjoja i ka falur qeverisë një projekt 1.2 milionë euro. Nga njëra anë, Ave consulting, që ka projektuar shkatërrimin e qindra shtëpive tek Unaza e Re, ka fituar tenderin per të permbyllur procedurat e legalizimit te objekteve informale.
Parti Demkoratike i kërkon Prokurorisë të hetojë pa vonesë këtë aferë të rëndë korruptive, duke mos e zvarritur atë siç po bën me rastin e DH Albania, për të cilën, akoma pas një viti nuk ka asgjë konkrete.
Partia Demokratike do t’i dorëzojë Prokurorisë te gjitha dukementat e nevojshme për të nxjerrë në dritë këtë aferë korruptive, ku një grusht njerëzish duan të shtojnë pasuritë duke shkatërruar jetën e qindra familjeve.
Një prokurori e pavarur, që nuk sakrifikon drejtësinë për t’ia hedhur vetingut, ka në dorë të kërkojë pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij projekti korruptiv dhe të pavlefshëm juridikisht tek Unaza e Re!
Kur shqiptarët t’i besojnë Partisë Demokratike qeverisjen e vendit, zyrtarët apo privatet e përfshirë në këtë aferë do të përgjigjen para ligjit. Me ligjin tonë të ri Antimafia dhe me programin tonë “Ndiq paranë”, ata do të paguajnë çdo dëm që i është shkaktuar shtetit shqiptar dhe banorëve të Unazës së Re nga projekti korruptiv 20 milion euro për 1 km.