Në qytetin e Vlorës po zhvillohet sot aksioni për pastrimin e Pyllit të Sodës nga mbeturinat, në kuadër të nismës “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë”.
Në këtë aksion po marrin pjesë punonjës të të gjitha institucioneve vendore në qytetin bregdetar.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, tha se se “sfida jonë për heqjen e mbeturinave është një sfidë ku duhet të përfshihemi të gjithë. Sot në këtë ditë sensibilizimi të transmetojmë mesazhin për të gjithë qytetarët që jetojnë në Vlorë dhe për vizitorët që të kujdesemi për atë që është pronë e të gjithëve dhe mbi të gjitha për ambientin”.
“Aksioni i sotëm është përqendruar në pyllin e Sodës që është një nga gangrenat e këtij qyteti, ku keqbërësit, papërgjegjshmëria bëhen shpeshherë pjesë e kronikave televizive. Do të doja shumë që sot të transmetoj mesazhin që të kujdesemi për pasuritë e qytetit, që garantojnë të ardhmen e fëmijëve tanë”, – theksoi Leli.
Kryebashkiaku Leli i bëri apel qytetarëve të bëhen pjesë e iniciativave të tilla për të pasur një Vlorë më të pastër dhe për të pasur të garantuar të ardhmen e Vlorës të turizmit dhe mbi të gjitha për fëmijët./atsh