PËRSE NJËQINDEDYZET DHE JO VETËM DY?!
…Në parlamentin tonë zgjidhen e mblidhen të kuvëndojnë njëqindedyzet vetë, por atje veprohet sikur të jenë vetëm dy.
Është e drejtë që ndarjet e dallimet mes dy grupeve të jenë, por jo edhe aq sa të na lindë ideja të jenë vetëm dy!
I thonë Kuvënd, dreqi ta hajë! Kuvënd dhe kuvëndim janë fjalë të bukura shqipe!
Por nuk shikon aty ndonjërin nga deputetët, që të zerë foltoren e të thotë: zotërinj, unë i përkas palës tjetër, por jam plotësisht dakord me projektin që paraqitët ju! Për këto dhe këto arsye, unë do të votoj me ju!… Nuk është bërë kot lufta që të hiqet votimi i fshehtë, në mënyrë që ata të DY t’i kenë në zotërim vathat e tyre. Ata të DY janë perënditë.
Ata DY vendosin se kush do të punësohet në kuvënd. Janë ditë vendimtare dhe ndihet mirë zhurmërimi kur hartohen listat e deputetëve, se ka pjesë të listës që janë fare të sigurta, ka pjesë gjoja të sigurta dhe të pasigurta fare. Shqetësimi i pjesës më të madhe të të dy krahëve të parlamentit, sidomos i atyre që nuk e zunë foltoren asnjëherë, dhe atyre që nuk i njeh as gjitoni, është maksimal. Do të jemi në listë? Do të na rreshtojnë afër kreut të listës këta DY kryetarët tanë, apo jo? Dhe listat, sikurse herën që shkon, parapëlqim të parë kanë besnikërinë ndaj kryetarëve, gatitushmërinë dhe pastaj vlerat individuale dhe në fund fare popullaritetin krahinor.
Është çështje punësimi, vëllezër. Një punë fare e lehtë, kartonangritës!
Kartoni peshon a s’peshon 4-5 gram – asgjë fare, pavarësisht nga ngjyra e verdhë apo e kuqe! Pastaj vetëm njërin karton do të ngresh, nuk do këputësh mish, de!
Dhe atë, veç katër, e shumta, pesë herë në muaj do ta bësh! Ama është një punë që paguhet mirë, përveç njëmijë leverdive të tjera që sjell pas vetes.
Dhe atëhere më piqet mendimi dhe dua t’u drejtohem tërë atyre punëtorëve të shëndetësisë, të artit dhe të sportit që bënë atë peticionin e fundit dhe t’i ftoj të bëjmë një peticion tjetër. Aty le të propozojmë që, në vend të njëqindedyzet deputetëve, të venë atje në mejdan vetëm DY. Mirë, hajde, se DY janë pak: le të jenë katërmbëdhjetë! Kështu edhe llogaritjet e tre të pestave edhe takimet për marrëveshje janë më të kollajta edhe buxheti lehtësohet, sidomos tani në kohën e krizave.
Njëqindedyzet janë nevojtarët por ne nuk kemi nevojë për njëqindedyzet!
(Publikohet me shkurtime).
……………………………………
DITA, 24/2/2013 dhe “Luftë pa Fund” fq. 597, Botimet UET