Përmes një statusi në ‘Facebook’, Hyseni ka publikuar disa foto nga inagurimi i Pavilionit ‘Syri i Qiellit’ dhe i ka shoqëruar me një dedikim prekës ndaj motrës.
Hyseni shprehet se e ka marrë malli dhe se po bëjnë 30 vjet pa u takuar.
Më tej, ai shton se ‘Syri i Qiellit’ tashmë është një vend ku do të shihen edhe pse nga shumë larg.
Statusi i plotë:
E dashur motër Elida!
Më ka marrë malli shumë, shumë!
U bënë 30 vjet pa u parë. S’di si ta kthej dashurinë që kishe dhe jam i bindur që ke për mua, sepse tashmë nuk jemi pranë. Do shihemi një ditë patjetër e s’do ndahemi më kurrë, por deri atëherë duhet të të shohim, qoftë edhe pa u takuar.
Ndaj, sot inaguruam Pavilionin “Syri i Qiellit”.
Është syri i shpirtit tonë, është syri yt, është syri i nënave, motrave, baballarëve, fëmijëve dhe njerëzve të dashur të atyre 22 vajza dhe djem, burra dhe gra, që bashkë me ty u larguan tragjikisht nga kjo botë, për të mbetur përjetë në zemrat tona. Lotët janë kthyer në kristal dhe kristalet janë kthyer në pasqyrë, ku reflektohet dhimbja dhe malli ynë.
Tashmë motër do kemi si të shihemi edhe pse nga shume larg….
Më 22 nëntor 1989, kjo ishte e para ngjarje e kronikës së zezë që kapërceu kufijtë shtetërorë të ish-Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Spikeri, me një ton funebër, tha se kishin humbur jetën gjithsej 23 njerëz, pasi ishte rrëzuar, në fillim në afërsi të Himarës një autobus me studentë të Institutit të Lartë Bujqësor dhe më tej ishin përplasur në Vuno e Llogara edhe dy helikopterët ushtarakë, që tentuan të mbartnin për në Tiranë të plagosurit. Të gjithë të shuar apo, asnjë i mbijetuar.