Disa persona të tjerë janë shoqëruar për atentatin me tritol ndaj biznesmenit vlonjat Agron Alushaj. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, përveç 12 vetëve që u morën orëve pas ngjarjes, janë dhe 4r të tjerë që u shoqëruan këtë të hënë.
Mësohet se mes tyre ka një të dyshuar i cili mund të disponojë informacion për atentatin. Nuk dihet saktësisht se çfarë faktesh do të jenë siguruar, por të gjithë të shoqëruar nga dita e parë i përkasin rrethit familjar, persona në vendin e ngjarjes, punëtorë të gurores e karburantit.
Nga shpërthimi i tritolit të vendosur në kroskotin e makinës, 48-vjeçari dëmtoi gjymtyrët dhe fytyrën. Ai aktualisht ndodhet në një spital privat në Tiranë dhe i shoqëruar me punonjës policie. Dyshimet janë që eksplozivi mund të jetë vendosur në makinën e Alushajt një ditë më parë, ndërsa ka qenë i parkuar pranë shtëpisë së tij.
Dhe shpërthimi me telekomandë u krye pasditen e 23 nëntorit në rrugën Transballkanike. Shënjestra e atentatit ishte Agron Alushaj, pronar i një guroreje në fshatin Drashovicë, si dhe sapo kishte nisur themelet e një pallati në qytetin e Vlorës.