Skuadrat e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje operacionin në banesën e familjes Lala, në Durrës, që është edhe një ndër familjet e goditura rëndë nga tërmeti katastrofik i 26 nëntorit.
BW solli pamjet e mëngjesit nga pallati i shkatërruar totalisht, ku shihen skuadrat duke punuar për nxjerrjen e trupave të pajetë të familjarëve, ku mes rrënojave ndodhen edhe trupat e tre fëmijëve të mitur, binjakëve Dionis e Dionisa Lala, që ende nuk kanë bërë 2 vjeç, si dhe vëllait të tyre, Emilio Lala, 8 vjeç, ndërsa është nxjerrë e pajetë motra e tyre, Amelia Lala, 8 vjeçe.
“Vijojnë prej orësh të zgjatura kërkimet për të gjetur mbase të gjallë pjesëtarët e familjes Lala, një familje e goditur rëndë nga tërmeti, tha gazetarja Klodiana Lala. – Kërkimet po zgjasin shumë dhe ende skuadrat e kërkim-shpëtimit nuk dinë asgjë për fatin e Marjeta Lalës, gruaja që kishte me vete edhe katër fëmijët e saj. Nuk dihet asgjë për fatin e Emilio Lalës, 8 vjeç, nuk dihet asgjë për fatin e binjakëve Dionis dhe Dionisa, që ende nuk kanë mbushur 2 vjeç. Ilir Lala, xhaxhai i fëmijëve, që ishte person me aftësi të kufizuara.
Kjo familje ka humbur deri më tani gjyshen, Sadete Lala, Amelia Lala, 8 vjeçe, Griselda Lala, motra e Ramë Lalës, djalit 17-vjeçar i vetmi i mbijetuar deri më tani. Albert Lala është babai i katër fëmijëve, njëra prej të cilave Amelia është nxjerrë e pajetë, ndërsa nuk dihet asgjë për tre fëmijët e tjerë dhe nënën e tyre. Aty ka lot, ka britma, trishtim, por edhe shpresë, sepse skuadrat e kërkimit iu kanë komunikuar se mund të ketë shpresë”, tha gazetarja Lala.