107-vjet nga shpallja e Pavarësisë – Shqipëria solidare me familjet e prekura nga tërmeti

Shqipëria mbush sot 107 vjet nga shpallja e Pavarësisë, ku më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur vendin tonë shtet sovran dhe të pavarur.

Në këtë ditë, ku do të duhej të festohej pavarësia e e vendit, Shqipëria gjendet në një gjendje të jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës, për shkak të tërmetit me magnitudë 6.4, që goditi vendin mëngjesin e të martës.

Deri mëngjesin e sotëm numri i viktimave ka arritur në 40, ndërsa raportohet se janë nxjerrë të gjithë personat nga rrënojat në Thumanë. Kërkimet vijojnë për 5 persona që mendohet se ndodhen nën rrënojat në zonën e Kënetës në Durrës.

Kryeministri Edi Rama uroi shqiptarët me rastin e 107 vjetorit të Pavarësisë duke u shprehur se “Hyri Dita e Flamurit Kuqezi në errësirën që na rrethon përkohësisht, përpara daljes së diellit. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudoqofshin pa asnjë dallim”.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave të thirrur mëngjesin e djeshëm për shkak të situatës emergjente të krijuar nga tërmetet në vend, kryeministri Rama bëri të ditur se “dy ditët e rëndësishme të kalendarit të vendit tonë, 28 dhe 29 Nëntori nuk mund të jenë ditë me përmbajtje festive, por me të gjithë solemnitetin e nevojshëm dhe domosdoshmërinë për të mos e shkëputur asnjë sekondë vëmendjen nga situata akute aktuale”.

Më 28 Nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i Qeverisë së shtetit shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare.

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike: Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar.

Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Europës.

28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.

Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë.

Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar./atsh

Loading...