O moj Shqypni, e mjera Shqypni
Kush të ka qit me krye n’hi?
Ti ke pas qenë nji zojë e randë
Burrat e dheut të thirrshin nanë
Ke pas shumë t’mira e begati
Me varza t’bukura e me djelm t’ri
Gja e vend shumë, ara e bashtina
Me armë të bardha, me pushkë latina
Me burra trima, me gra të dëlira
Ti ndër gjithë shoqet ke qenë ma e mira
Kur kriste pushka si me shkrepë moti
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka qenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurrë s’i mbetun
Kur ka lidh besën burri i Shqypnisë
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë
Ndër lufta t’rrepta gjithkund ka ra
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da
…
Po sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe
Shkon bota sipëri, me kambë të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me cërule
E s’të ka mbetun as emën, as besë
Vetë e ke prishun, për faqe t’zezë
Shqyptarë, me vëllazën jeni tuj u vra
Ndër njiqind çeta jeni shpërnda
Sa thonë kam fe, sa thonë kam dinë
Njeni “jam turk”, tjetri ‘latin’
Do thonë “jam grek”, ‘shkje’ disa tjerë
Por jemi vëllazën t’gjithë more t’mjerë!
Priftnitë e hoxhtë ju kanë hutue
Për me ju damun, me ju vorfnue
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër
Me ju turpnue, me grue e motër
E për sa pare qi do t’fitoni
Besën e t’parëve t’gjithë e harroni
Baheni robt e njerit t’huej
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej
Qani ju shpata e ju dyfeqe
Shqyptari u zu si zog ndër leqe
Qani ju trima bashkë me ne
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe
E s’i ka mbetun as bukë, as mish
As zjarm në votër, as dritë, as pishë
As gjak në faqe, as nder ndër shokë
Por asht rrxue e bamun trokë
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra
M’ata sy t’bukur q’dini me qa
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë
Qi mbet e shkretë pa emën, pa nder
Ka mbet e ve si grue pa burrë
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë
Kujt i ban zemra me e lanë me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Kët nanë të dashtun a do ta lamë
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Kët marre askush s’e do
Kët faqe t’zezë gjithkush e dro
Para se t’hupet kështu Shqypnia
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia
Çoniu, shqyptarë, prej gjumit – çoniu!
Të gjithë si vëllazën n’nji besë shtrëngoniu
E mos shikoni kisha e xhamia
Feja e shqyptarit asht shqyptaria
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë
Gjithkund lëshon dielli vapë edhe rrezë
Asht tokë e jona, prindtë na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit