Bizneset dhe faqet online që kontribuan për të prekurit nga tërmeti

Ndërsa shuma e dhuruar nga qytetarët, diaspora dhe disa biznesmenë si ndihma për të prekurit nga tërmeti mendohet t’i ketë kapur 15 milionë euro, kryeministri Rama ka thirrur në Elbasan disa prej biznesmenëve më të pasur të vendit.

Nga sa raportohet, ky takim do të zhvillohet pikërisht për të arritur në një pikë të përbashkët se si, apo me sa të holla do të ndihmojnë këto biznese familjet e prekura nga tërmeti shkatërrimtar në Durrës dhe Tiranë.

10 milionë euro, 5 milionë dollarë dhe 156 milionë lekë është shuma e dhuruar deri në këto momente për banorët e prekur nga tërmeti në Shqipëri, pa përfshirë këto ato shuma personale që janë bërë në forma apo grumbullime të ndryshme.

Mijëra qytetarë të zakonshëm dhe biznesmenë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, por edhe shtetas të huaj kanë dhuruar para dhe ndihma për banorët e prekur në Thumanë dhe Durrës.

Raportohet se vetëm përmes faqes “GoFundMe” dhe Facebook janë dhuruar afro 4 milionë dollarë deri mesditën e së premtes.

Dhurimet sipas ‘GoFundMe’ kanë ardhur nga 76 shtete të ndryshme, ku shumica janë shqiptarë të diasporës.

Një rol të madh në mbledhjen e këtyre donacioneve kanë patur dy organizatat shqiptare të bamirësisë “Fundjavë Ndryshe” me 1.5 milion dollarë dhe “Shqiptarët për Shqiptarët” me 870 mijë dollarë.

Një shumë e konsiderueshme prej afro 1.4 milion dollarë është mbledhur nga organizata “Rrënjët Shqiptare” me qendër në Nju Jork përmes Facebookut.

Nismës për të dhuruar ju bashkuan edhe biznesmenët e njohur nga Shqipëria dhe Kosova.

I pari që dhuroi 1 milion euro ishte zv.kryeministri dhe biznesmeni kosovar, Behgjet Pacolli.

Përveç shumës së dhuruar, ai u shpreh i gatshëm për të strehuar në Prishtinë edhe qindra familje të prekura nga tërmeti.

Pak pas bërjes publike të donacionit të Behgjet Pacollit, një tjetër biznesmen shqiptar ju bashkua nismës për të dhuruar. Shefqet Kastrati u solidarizua me të prekurit nga tërmeti duke kontribuar me plot 1.5 milionë euro, ndërsa u bëri thirrje të gjithë të pasurve për të dhuruar.

Menjëherë pas kontributit të Shefqet Kastratit, Aeroporti i Rinasit i ka dhuruar 1 milionë Euro shtetit shqiptar duke iu bashkuar kontributeve financiare për ringritjen e të gjitha zonave të prekura.

Nga ana tjetër, përveç ndihmës me ushtare dhe ekipe shpëtimi, qeveria e Kosovës akordoi një fond prej 500 mijë eurosh për Shqipërinë.

Plot 500 mijë euro ka dhuruar edhe Fondacioni Soros në Shqipëri, ndërsa Austria ka dhuruar 600 mijë euro dhe Maqedonia e Veriut 100 mijë euro, e po aq edhe Vatikani.

Donacione ka patur edhe nga disa Komuna në Kosovë. Kontribute ka patur edhe nga Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Rita Ora.

Këtë të premte donacioneve iu bashkuan edhe biznesmenët Samir Mane me 1,2 milionë euro dhe Pëllumb Salillari me 1 milion dollarë.

Edhe qeveria shqiptare ka hapur një platformë online ku mund të dhurohet për të prekurit nga tërmeti.

Sipas informacioneve zyrtare, deri mesditën e së premtes përmes kësaj platforme ishin dhuruar 156 milion lekë, 1.6 milion euro dhe 25 mijë dollarë.

Përveç donacioneve financiare, qindra shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë kanë hapur dyert e shtëpive për të prekurit nga tërmeti.

Shqipëria vërtetë u përball me një tërmet të fortë, por solidariteti mes shqiptarëve pas tërmetit ka qenë edhe më i fortë./Tpz.a

Loading...