Resurset natyrore dhe ato kulturore-arkeologjike, spikasin në këtë mjedis me emër, që përmbledh 58 fshatra me një popullsi prej rreth 50 mijë banorësh.
Kjo zonë nis me Kurveleshin e Poshtëm tek Buronjat dhe gryka e Kuçit dhe vazhdon deri në Myzeqenë e Vlorës, në një gjatësi të përgjithshme prej rreth 80 km dhe një sipërfaqe 332 km katrorë.
Me ndarjen e re administrative në Lumin e Vlorës përfshihen dy komuna dhe shtatë njësi administrative, mes të cilave, Horë-Vranisht, Brataj, Kotë, Sevaster, Vllahinë, Shushicë dhe Armen.
Bukuria natyrore, pyjet, malet, traditat në gatime dhe në veshje, përbëjnë ato vlera që kanë nisur të ngacmojnë kuriozitetin dhe vëmendjen e turistëve për zonën e Lumit të Vlorës. Mjaft të huaj, kanë mbërritur dhe kanë kaluar në fshatrat e kësaj zone, ditë të këndshme, të mbushura me surpriza.
Ata kryejnë udhëtime të paharruara që zgjasin 5-6 ditë me nisje fshatin Lapardha e sosje në bregdet, duke të gjithë zonën deri tutje në Kuç, në atë që emërtohet Qafa e Dërrasës. Ose duke kaluar nga Vranishti për të dalë në Dhërmi.
Lumi i Vlorës është një zbulim i vërtetë për turistët, pasi kalojnë në vende ku rrallë shkel këmba e njeriut. Në këtë rrugëtim turistët shuajnë etjen në ujërat e burimeve, hanë mish qengji të pjekur, pinë raki të vërtetë dhe kënaqen me bukuritë e rralla natyrore që ka kjo zonë, ndër të tjera edhe me këto dy që po përmendim më poshtë:
Shpellat e Smokthinës…
…Kompleksi Velçë, Matogjin, Ramicë, Bashaj dhe Vërmik
Kompleksi i shpellave është nga atraksionet kulturore më të veçanta që gjenden në vendin tonë. Është shenjë e ekzistencës së jetës në kohët e hershme dhe është dëshmi, që ruhet e trashëgohet si pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit tonë.
Nëse s’do të kishin ekzistuar këto banesa të gdhendura në brendi të shkëmbit, atëherë dëshmitë e së kaluarës do të ishin të mangëta.
Një vendbanim i veçantë me një kompleks shpellash, janë shpellat në zonën e Smokthinës në fshatrat Velçë, Matogjin, Ramicë, Bashaj dhe Vërmik të njësisë administrative Brataj të Bashkisë së Vlorës.
Dëshmi interesante rreth këtyre vendbanimeve sjell Luigi Cardini, i dërgua nga zbuluesi i “Trojës Shqiptare”, drejtori i Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, Luigi Maria Ugolini.
Prehistoriani italian i cili udhëtoi gjerësisht në të gjithë Shqipërinë jugperëndimore dhe që ka regjistruar mbi 60 shpella natyrore( strehime guri), ndërkohë që në vitin 1936, ai ka hulumtuar shpellat e Velçës dhe ka kryer një studim paraprak të dhjetë shpellave atje.
Pas tij me shpellat e Velçës janë marrë arkeologët tanë, të cilët edhe kanë propozuar që ato të shpallen monument kulture. Kështu ato janë shpallur si të tilla që në vitin 1948. Në kompleks ato tashmë njihen si shpellat e Velçës me emërtimet: Kalaja, Skota, Shpella me Qiell, Presarani, Shpella e Bushit, Shpella e Maçit, Kushtègjini , Mëngjilli , Rasali , etj.
Në qershor të vitit 2000, një ekip arkeologësh nga Instituti i Arkeologjisë Botërore ( Britania e Madhe)dhe Instituti Shqiptar i Arkeologjisë filluan një studim në terren me qëllim gjetjen e një numri shpellash prehistorike, që janë hulumtuar për herë të parë në vitin 1930 nga Luigi Cardini. Studimi gjeti se shpellat e Velçës kanë mbetur praktikisht të pandryshuar që prej gërmimeve të kohës Cardini.
Sipas studimeve italiane, kjo shpellë duhet të ketë qenë banesë 1000 vjet para Krishtit. Shpellat e Velçës duke radhitur kompleksin e tyre: shpella e Bushit, shpella e Prezaranit,shpella e Skotës etj, janë vendbanime të lashta të banorëve autoktonë. Katundi Velçë ka pasur një emërtim tjetër që lidhet me shpellat.
Ajo quhej Velçë-Shpella. Emërtimi sllav është vendosur më vonë. Po kështu edhe emri Smokthinë rrjedh nga sllavishtja dhe do të thotë vendi i fiqve. Sllavët dhe pushtuesit e tjerë, që qëndruan me shekuj në këto troje ndryshuan emrat e vendbanimeve, besimet, por nuk arritën dot të mbyllin apo të shkatërrojnë gojët e shpellave, sepse do t’u duhej të shkatërronin gjithë shkëmbinjtë e këtij vendi.
Veç shpellave, në këtë zonë ndodhet dhe Kalaja e Boderit e cila i përket periudhës së antikitetit të vonë. Kjo kala është e ndërtuar në një kodër në bregun e majtë të lumit të Smokthinës.
Muret e saj rrethojnë pjesën më të lartë të kodrës dhe formojnë një shumëkëndësh të çrregullt, me perimetër rreth 270 metra. Në pjesën jugore muret ruhen deri në 4 metra lartësi. Në këtë anë ndodhet dhe kulla e vetme e këtij fortifikimi.
Vlen të përmendet një tjetër objekt në këtë zonë që është monument kulture i kategorisë së parë dhe që është shpella në lagjen Hysaj në Ramicë e cila ka qënë e shfrytëzuar si spital partizan gjatë Luftës së Dytë Botërore ku janë kryer dhe operacione të vështira kirurgjikale me mjete primitive.
Në këtë zonë me bukuri mahnitëse rrjedh lumi i Smokthinës i cili është degë e Lumit të Vlorës për të cilin studiuesi E. Novak në vitin 1923 shkruan se Lugina e Lumit të Vlorës është një luginë me bukuri heroike.
Sofra e Zotit ose Guri me Qiell
“Sofra e Zotit” ose “Guri me Qiell” është atraksioni më i madh i natyrës në vendin tonë. Për nga mënyra e vendosjes, pesha dhe forma mund të quhet më i veçanti edhe më gjerë gadishullit tonë.
Asgjëkund syri, nuk të ndesh një monument natyre kaq të veçantë që të tundoj me pamjen e tij, formën, mënyrën e vendosjes. Larg çdo përfytyrimi, guri me qiell përbënë dhuratën e natyrës, për një vend të ashpër malor, vendosur në një vend me pjerrësi diku në faqet e një mali jugor.
Ky monument ngrihet në majën e malit të Lipes mbi fshatin Vranisht, rreth 50 kilometra larg qytetit të Vlorës. Prej lartësisë ku ndodhet ky monument i natyrës, spikat një pjesë e madhe e luginës së Lumit të Vlorës.
Banorët e zonës e konsiderojnë atë si një dhuratë e natyrës për një vend të ashpër malor, sikundër është Lumi i Vlorës, me fshatrat e veta. Nga ana tjetër, ky monument, është i vendosur përballë malit të Bogonicës, që shqipërohet “Vendi i Zotit”.
Është një monument prehistorik i përhapur ne neolitin e vonë dhe ne epokën e bronzit 4 – 9 mijë vjet më parë.
Kjo vepër e arkitekturës prehistorike ka lidhje me kultet mbivarrore si dhe atë të Diellit. Sipas arkeologut të njohur Moikom Zeqo, “është një gur gjigant i vendosur nga dora e njeriut mbi dy shkëmbinj të tjerë, duke krijuar një tryeze për perëndite…”.
Përfundimi i studiuesit Zeqo niset nga fakti që shkenca monumente të tilla i njeh me emrin dolmenë, thënë ndryshe tipe varresh megalitikë të ndërtuar me gurë të punuar ose jo. Në disa raste ato ishin vend-prehje, në të tjera vend-sakrifikime apo edhe tempuj të shenjtë ku njerëzit u faleshin perëndive.
Gjatë verës në ditët me mot të keq në këtë vend ka shumë vetëtima (bubullima).
Nuk është çudi që edhe emërtimi Vranisht të vijë nga pellazgjishtja e vjetër, i vranët, dhe që më pas me krijimin e perëndive, mori emrin Urani, si perëndia e stuhive dhe luftërave, duke u përjetësuar si planet në yjësinë e qiellit.
Lidhur me emërtimin si Sofra e Zotit, ka lidhje me shpellën Lëmi i Lelerëve, vendosur jo shumë larg, por edhe me malin përballë të Bogonicës.
Është për të ardhur keq, që, si për gjithçka tjetër të kësaj natyre në vendin tonë, edhe për Sofrën e Zotit plot enigma, mite dhe legjenda, mungon një studim, një guidë a përcaktim i saktë për t’u trajtuar si objekt natyror, historik apo si një resurs turistik, siç ndodh në shumë vende të botës për objekte e fenomene të tillë mbinatyrorë.
Të dhëna
Emërtimi : Sofra e Zotit ose Guri me Qiell
Pesha:Afërsisht rreth 10 ton
Forma: Drejtkëndëshe
Pozicionimi:Vendosur mbi dy gurë (këmbë)
Vendndodhja: Faqja veriore e malit të Bogonicës
Afërsia: Me vendin e shenjtë Lëmi i Lejlerëve
Rituali; Vend pagan