Efektivi i zjarrfikësve, Arben Cara humbi 7 nga të afërmit e tij në tërmetin e 26 nëntorit.
I ftuar sot në “Wake up”, Cara rrëfeu momentin kur Albert Cara, 55-vjeçari që ka humbur familjen pyeste vazhdimisht për të birin që kishte humbur jetën në rrënoja.
“Alberti ka lëndime goxha serioze në pjesën e shtyllës kurrizore ndërsa Lindita është mirë, por ne akoma nuk ia kemi thënë dhe nuk e dimë si do ia themi që i kanë humbur familjarët.
Gjatë rrugës kur është transportuar për në Spitalin e Traumës, Alberti ka pasur në të njëjtën ambulancë edhe djalin i cili atë natë do festonte ditëlindjen. Prandaj ishin mbledhur të gjithë. Gjatë kohës në ambulancë, Alberti kishte ndjerë që dora e djalit ishte ftohur. Edhe sot pyet vazhdimisht: ‘Si e kam djalin?’, tregoi Arben Cara në “Wake up”.
Nga familja Cara humbën jetën 6 persona dhe i vetmi i mbijetuar, Alberti është nisur për t’u kuruar në Itali.