Lirohet nga qelia, 25-vjeçarja që përhapi panik pas tërmetit

Ajo u arrestua pesë ditë më parë dhe akuzohet për përhapje të informatave të rreme që përhapin panik.

DURRES-Gjykata ka vendosur lirimin nga qelia, por jo nga akuzat të 25-vjeçares Xhuliana Aliaj, që do të hetohet në masën detyrim paraqitje dy herë në muaj, raporton gazetari i Report Tv, Arsen Rusta. Kjo masë u kërkua nga prokurori Madrid Kullolli dhe u pranua nga gjykata. Ajo u arrestua pesë ditë më parë dhe akuzohet për përhapje të informatave të rreme që përhapin panik.

Avokati i saj mbrojtës Stefan Topalli tha se Xhuliana nuk ka pasur qëllim që të përhapë panik por në kushtet psikologjike të tërmetit ka bërë një thirrje për kujdes nga ana e banorëve në një zonë të rrezikshme siç është ajo e depozitave të karburantit.

“Edhe efekti që ka pasur statusi i saj ka qenë fare i pallogaritshëm sepse ka marrë 25 like dhe 8 apo 9 komente” tha avokati. “Ju lutem ikni nga Porto-Romanoja. Eshte kris hidrovori dhe mund te shperthejne depozitat e gazit nqs bir prape termet. Ikni!” ishte statusi i vajzës që u arrestua.

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama ka bërë sërish thirrje se në kushtet dhe kuadrin ligjor të gjendjes së jashtëzakonshme do të marrë masa të forta kundër portaleve që përhapin panik me lajme të rreme, teksa deri tani policia e shtetit ka vendosur në hetim dy administratorët e faqes ‘Jeta Osht Qef’.

Loading...