Nga Genc Demiraj
Gjithë tollovia e post tërmeteve, e mbarsur me fatalitet, dhimbje, lot, panik, lebeti por edhe me solidaritet, vëllazëri e gjindur, ndihmë dhe vullnetarizëm të pa parë…ka bërë atë që gadishmeria e atypëratyshme për kapërcimin e situatave bashkarisht pa politikë dhe kombësi, të të rrisin besimin, krenarinë dhe moralin gjithëpërfshirës…
Deri këtu çdo gjë është OK dhe e pandryshueshme nga menaxhimi i situatave të njëjta edhe në vendet më të zhvilluara…ku shteti është koordinatori dhe promotori kryesor, mbartësi deri në fund i përgjegjësisë së suksesit apo mos suksesit të aksionit…paçka se donatorët mund të jenë individë, fondacione, shoqata apo OJQ – ra gjithëfarë lloji…Qeveria ka përgjegjësinë e të qënurit “the first head”…gjithë të tjerët le te jenë kontribuesa vullnetmirë në funksion të çështjes. Deri këtu, e përsërisim, është dhe duhet të jetë çdo gjë OK…më tej pastaj, e dimë mirë se çdo të vejë ! Uniteti dhe vëllazëria solidare do të zveniten bashkë me ftohtësinë emocionale duke ja lënë vendim gërr- mërreve politike, i bëre si bëre, i vodhe si vodhe…për të mos thënë, që edhe mund të harrohen fare hallet e hallexhinjëve halleshumë…! Të jeni të sigurt që kështu do të ndodhë. Sepse kështu kemi bërë sa herë, në raste të tilla…
I nisim mirë dhe i bitisim keq. Ja kemi marrë dorën këtyre gërr- mërreve sa që edhe nëpër dasma po i aplikojmë hatashëm…i nisim me gëzim dhe alegri dhe i përfundojmë, si mos o zot, turrivarur dhe qejfmbetur , – jo pse më ule këtu dhe s’më ule aty…jo s’më solle atë po më solle këtë !
Solidariteti i madh i këtyre ditëve vërtetë na ka emocionuar dhe bërë krenar, që nga ai plaku i përlotur nga Medvegja dhe deri tek miliarderet e paktë shqiptarë…na ka ngritur moralin dhe besimin për ti kaluar së bashku fatkeqësitë, me dyert dhe zemrat hapur…Deri sot shembujt e mirësisë i kemi dhënë, dashtë zoti na e shtoftë këtë frymë dashurie ndër shqiptarë duke na e lënë kështu të pastër dhe të pa ndotur nga politika.