Kryetari i bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, njoftoi se “edhe sot në mëngjes ka vijuar aksioni i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe Bashkisë se Tiranës për prishjen e ndërtimeve që preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe, në segmentin nga mbikalimi te Pallati me Shigjeta deri te Dogana”.
Veliaj sqaron se ” pas shembjes mbrëmjen e djeshme të dy shtëpive të para, mjetet e IMT-së dhe Bashkisë se Tiranës nisen punën që në orët e para të mëngjesit për shembjen e dy objekteve të tjera”. Siç shihet edhe nga pamjet, bëhet fjalë për dy ndërtime që janë në aksin kryesor të këtij segmenti, në afërsi të sheshit “Shqiponja”.
Kryebashkiaku thekson se “ashtu si edhe dy familjet e para, edhe familjet që zotëronin ndërtimet që u prishën sot janë sistemuar në banesat sociale, të mobiluara, komode dhe me të gjitha kushtet e nevojshme”.
Veliaj u ka bërë thirrje të vazhdueshme banorëve të zonës së Astirit që “të distancohen nga përdorimi politik që po u bën opozita dhe të aplikojnë sa më parë pranë Bashkisë Tiranë për të përfituar nga programet e saj sociale”.
Veliaj beri të ditur se “për të gjitha familjet që ndërtesat i kanë me leje do të shpronësohen sipas parashikimeve që bën ligji, ndërsa për ata që s’kanë dokumente pronësie do të ofrohet mbështetje sociale, duke filluar që nga bonusi i qirasë e deri te banesat sociale”. ATSH