Zoran Mileski ishte i akuzuari i tretë në këtë rast korrupsioni të lartë gjyqësor që ka përfshirë ish-Prokuroren e posaçme Katica Janeva të ulur në bankën e të akzuarve, poashtu.
Mileski një ditë më parë e pranoi fajësinë dhe gjykata e mori një vendim të vlerësuar si lehtësues me që ai “ishte baba i pesë fëmijëve, kujdesej për babain e tij të sëmurë dhe asnjëherë nuk kishte qenë i dënuar më parë”. Vepra e tij, sipas ligjit, ishte e dënueshme deri në dhjetë vjet burg. Mileski u dënua për veprën “marrje e shpërblimit për ndikim të jashtligjshëm”. Ai ka bërë rreth gjashtë muaj arrest shtëpiak, kështu që i mbeten për të bërë edhe 2.5 vjet burg. Por, masa duhet të hyjë në fuqi pasi të kenë kaluar afatet e ankesave.
Ndërkohë, zonja Janeva si e akuzuar e dytë në këtë rast dhe Bojan Jovanovski i njohur në publik si Boki 13, i akuzuar i parë, janë në arrest shtëpie. Procesi gjyqësor ndaj tyre do të vazhdojë të premten.
Katica Janeva akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe për përvetësim të mjeteve materiale me vlerë prej 50 mjë euro nga një biznesmen maqedonas në shkëmbim të ndikimit të saj mbi vendimin e gjykatës rreth lehtësimit të masës së paraburgimit për biznesmenin.
Skandali “zhvatja” u publikua në gazetën italiane La Verita dhe kjo ka tronditur themelet e gjyqësorit në Shkup, ndërkohë që reformat në këtë fushë kanë ngecur. Në një video regjistrim duket Boki 13 duke dalë së bashku me Zoran Mileskin nga shtëpia e biznesmenit Jordan Kamçev me dy valixhe të mbushura me para. Ky i fundit, i akuzuar për një vepër tjetër penale, kërkonte të dalë nga paraburgimi dhe të lihej në arrest shtëpiak. Jovanovski dhe Mileski, sipas prokurorisë, kanë arritur që në muajin shkurt të këtij viti t’i marrin biznesmenit Kamçev një milion euro dhe t’i nxjerrin ato me një valixhe Louis Vuitton nga shtëpia e tij, ndërsa 500 mijë euro i kanë marrë nga gruaja e tij. /Voa/