Pamje të rënda janë publikuar sot nga Laguna e Nartës në Vlorë. Një pelikan kaçurrel, një specie e rrallë në Shqipëri është gjetur i vrarë.
Pjesa më e madhe e këtij shpendi ndodhet në Lagunën e Karavastasë në Divjakë por nuk mungon dhe në lagunën e Nartës. Pelikani i ngordhur është gjetur ditën e sotme nga disa peshkatarë dhe dyshohet se është vrarë me cifte nga gjahtarë të papërgjegjeshëm të cilat pavarësisht moratoriumit vijojnë të prodhojnë efekte shkatërruese për florën dhe faunën në vendin tonë.
Pelikani kaçurrel dhe autokton në vendin tonë i cili konsiderohet gjithashtu edhe si një nga më të rrallët në të gjithë Mesdheun që preferon të rritet dhe të banojë në Lagunën e Karavastasë në Divjakë dhe atë të Nartës në Vlorë.
Ky shpend i rrallë gjatë periudhës së tranzicionit rrezikoi të zhdukej për shkak të gjahtarëve të paligjshëm dhe dëmtuesve të çerdheve të tyre. Por me shpalljen e moratoriumit, Pelikani Kaçurrel ka filluar të shumohet e të kthehet përsëri në origjinë.
Pelikani Kaçurrel rritet e zhvillohet në lagunë dhe nuk shtegton. Ky shpend ka një gjatësi që shkon deri në 1,9 metra nga sqepi deri tek bishti dhe peshon rreth 20 kg, ka ngjyrë të bardhë me pulla gri, ushqehet me peshq e gjallesa të tjera deti. Shumimi natyral i tij është paksa delikat sepse femra ngroh dhe çel vetëm dy vezë duke i depozituar ato në Kënetë.
(BalkanWeb)