Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali e ka nisur fjalën e saj në Kuvend duke cituar Branko Merxhanin me fjalët se shpëtimi gjendet thellë në shpirtin kombëtar.
Duke folur për tragjedinë e rëndë që la pas tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit, Spiropali tha se nuk e ka aspak të lehtë të flasë në këto momente dhe se të gjithë përjetuam orë tmerri por ora jonë nuk duhet të mbetet në ato momente por të ecë përpara.
“Shpëtimi nuk gjendet lart në qiellin kombëtar por fshehur thellë në shpirtin kombëtar thoshte Branko Merxhani, mendimtari i shquar shqiptar. Ja pikënisja, të ndriçojmë shkaqet e thella të anarkisë sonë shoqërore që na la trashëgim e shkuara me fenerin e të ardhmes. Ja pika e drejtimit tonë përmbi gërmadhat e Shqipërisë thotë të ngrihemi dhe të mbërrijmë për një Shqipëri të nesërme, të ndritur, jo historike por qytetëronjëse.
Sot nuk e kam aspak të lehtë të flas në këtë foltore kur ende nuk zhbërë dhe do jetë e vështirë të zhbëhet hija e dhimbjes së madhe të tërmetit të 26 nëntorit. Një fatkeqësi natyrore që e liga e desh të çirrej dhe me fatkeqësi njerëzore. 51 jetë të humbura, 51 fëmijë, vajza, gra e të moshuar që do t’i kujtojmë si portrete në zemrat dhe jetët tona në rrokullimën e jetës sonë të përditshme, 1000 të plagosur, mijëra të pastrehë, 5000 banesa të shkatërruara, çaste që të mbërthenin aq sa duhej të prisje në pafundësi deri sa të dëgjoje nga mesi i gërmadhave lajmin se në këtë shtëpi ka jetë, apo ai apo ajo shpëtoi, ky fëmijë doli e gjer tek momentet më therëse si ai kur një jetë flijohet për të shpëtuar një tjetër jetë si e moshuara nga Thumana që i bekoi jetën së dyti nipit të saj duke e mbajtur në prehrin e saj e duke e shtrënguar fort mes krahësh. Sigurisht jo të gjithë mbërritën t’i shpëtojnë fëmijët dhe të afërmit e tyre. Të gjithë përjetuam orë tmerri por ora jonë nuk duhet të mbetet në ato momente por të ecë përpara. Sërish duke iu referuar Branko Merxhanit që i referohet Niçes që thotë se çdo popull që të rrojë dhe të tregojë veten në radhë të parë duhet të organizojë kaosin që gjendet brenda unit të tij dhe të vërë rend”, deklaroi Spiropali.
Ajo tha më tej se duke mos qëndruar në këtë gjendje ankthi ne duhet të themi patjetër dhe duhet të tregojmë për shpirtin e pamposhtur shqiptar të treguar këtë javë me prova.
“Jo vetëm institucionet shtetërore, të gjithë në këmbë por edhe shpirti kombëtar që u ngrit, u solidarizua, u shpëtua për të na treguar që ne mund të ngremë nga rrënojat një mundësi dhe një vizion mbi të ardhmen dhe ky është synimi ynë. Mbi 2000 efektivë të FA-ve në gatishmëri që në momentet e para por edhe vëllezërit tanë nga Kosova që të parët iu përgjigjën jo detyrës por ndjenjës së tyre kombëtare. Kjo fatkeqësi dukej sikur na kishte rënë të gjithëve bashkë dhe ata ishin të parët që mbajtën peshën e kësaj gjëme”, tha Spiropali.
Ajo theksoi se kemi më pak resurse se shumë vende të tjera që kanë kaluar fatkeqësi natyrore por nuk na mungon aspak shpirti i solidaritetit.
“Kemi gjetur jo vetëm tek politika por edhe tek qytetarët një dëshirë të madhe për t’u ringritur. Është kjo dëshirë për ripërtëritje, kjo dëshirë për të vendosur rend në kaosin tonë që na ra mbi kokë nga tërmeti që më jep shpresë”, deklaroi Ministrja Spiropali.