Kryeprokurori: “Prokuroria të spikasë, njerëzit duan drejtësi”

Olsian Çela, Prokurori i ri i Përgjithshëm i Shqipërisë, u prezantua sot në institucion nga paraardhësja e tij Arta Marku.

Ai bëri zotimin e parë se në kushtet e kësaj situate të vështirë që po kalon vendi. ‘Prokuroria duhet të spikasë në raport me institucionet e tjera, pasi njerëzit kërkojnë drejtësi,’ tha ai.

“Sot ne ndodhemi në fakt në një situatë të vështirë, vendi po përballet me një krizë shumë të madhe për shkak të ngjarjeve të ndodhura në fund të muajit nëntor.

Besoj se përgjigjia që Prokuroria duhet të japë në rastin konkret duhet të jetë, ajo duhet të spikasë në raport ndoshta edhe me atë që po bëjnë institucionet e tjera, pasi njerëzit sot kërkojnë drejtësi”.

“Njerëzit sot kërkojnë më në fund në këtë vend të bëhen gjëra konkrete dhe është një rast, që pavarësisht se vjen nga një fatkeqësi shumë e madhe për vendin, është një rast që duhet të tregojmë se jemi në lartësinë e asaj që pret vendi, që presin njerëzit nga ne.

Ndaj kjo kërkon një angazhim maksimal. Kam besim se do t’i gjejmë të gjitha format e duhura për të arritur atë çfarë duhet dhe çfarë pret populli shqiptar në raport me Prokurorinë. Çdo gjë nuk shkon vaj, ndryshimet janë gjithmonë pozitive por unë kam besimin se vendi është në rrugën e duhur dhe e ardhmja do të jetë më e mirë,” përfundoi fjalën e tij kryeprokurori.

Loading...