Të paktën 4 drejtues mjetesh janë arrestuar nga policia, pasi drejtonin mjetin në gjendje të dehur, ku 2 prej tyre u përfshinë dhe në aksident. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave përfunduan shtetasit me inicialet A. T., 27 vjeç, banues në Shijak, pasi u kap në aksin rrugor Shijak-Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Fiat Punto” në gjendje të dehur, në masën 0.77 mg/l si dhe shtetasi S. I., 48 vjeç, banues në Qerret, i cili u kap në lagjen Nr. 17 duke drejtuar mjetin tip “Audi” në gjendje të dehur, në masën 0.97 mg/l.
Ndërkohë, në pranga përfundoi dhe shtetasi me inicialet M. H., 48 vjeç, banues në Shijak, i cili në lagjen nr. 13 duke drejtuar mjetin tip “Wolkswagen” është përplasur me mjetin e parkuar tip “Volvo”, ndërsa rezultonte i dehur.
Po ashtu policia arrestoi dhe shtetasin me inicialet G. D., banues në Karpen, pasi në segmentin rrugor Maminas-Shilore, duke drejtuar mjetin tip “Fiat Seicento”, ka aksidentuar këmbësoren shtetasen N. B., e cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.