“E premtja e zezë”, 60 milionë njerëz nuk dalin nga shtëpia

Studime të ndryshme kanë treguar se “e premtja e tersit” është një nga besëtytnitë më të përhapura në botë, njëkohësisht një ndër më të diskutuarat.

Rreth 60 milion njerëz në gjithë botën refuzojnë të dalin nga shtëpia të premten e datës 13 pasi ata besojnë se do t’u ndodhë diçka e keqe.

Për supersticiozët numri 13 dhe dita e premte sjellin ters, por kur bëhen bashkë rreziku është edhe më i madh. Në ditë si kjo e sotmja, e premte 13, ata mundohen të shmangin lëvizjet dhe të shtyjnë për një ditë tjetër punën dhe planet e tyre.

Ekzistojnë disa teori mbi origjinën e kombinimit të kësaj date dhe dite. Rrënjët e këtij supersticioni shkojnë deri në shekullin XIX. Sipas studiuesve, ky kombinim lidhet me vdekjen e kompozitorit të njohur italian, Gioachino Rossini, i cili vdiq një të premte më datë 13.

Numri 13 është numër ters që thyen numrin e plotë 12. Dymbëdhjeta shihet si reflektim i 12 muajve të vitit, 12 numrave të orës, 12 perëndive të Olimpit, 12 fiseve të Izraelit, 12 apostujve të Jezusit, 12 ndjekësve të Muhametit në besimin islam , 12 shenjave të zodiakut e të tjera.

Sa i përket të premtes, ajo konsiderohet një ditë ters të paktën që prej shekullit XIV.

E premte ishte edhe dita e kryqëzimit të Jezu Krishtit. Megjithatë, ka autorë që thonë se të gjitha referencat për “tersin” e së premtes nuk ekzistonin para vitit 1907. Ata argumentojnë se popullariteti i së premtes 13 mori përmasa pas publikimit të novelës së Thomas W.Lawson “E premte, 13-të” të cilën një punonjës i paskrupullt i “Wall Street” e shfrytëzoi për të përhapur panik, po në atë vit.

Loading...