Natyra e mrekullueshme, deti, mali, agroturizmi dhe arkitektura e bëjnë Lukovën, një ndër fshatrat më bukur të bregdetit dhe të frekuentuar gjatë stinës së verës.
Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, shprehet se “në Lukovë nuk po ndalen aspak ritmet e punëve të mbaruara, pasi investimet e qeverisë shqiptare të munguara prej një dekade, lukoviotët i prekin dhe i dallojnë çdo vit, kur Lukova ofron turizëm dhe shërben “mikpritje” jashtë kapacitetit të saj”.
Një Lukovë, shprehet ai, që të jep direkt përshtypjen e një qyteze turistike model si në shumë vende të Europës.
Kryetari i bashkisë së Himarës Goro thekson se “Lukova së shpejti me investimet që ndodhin aty çdo ditë, do të “trondisë” vërtet sondazhet e numrave frekuentues të turistëve të huaj dhe vendas”.
“Jam i gëzuar dhe shumë i lumtur që Lukova po bëhet”, tha Goro.
Lukova, perla e bregut të Jonit, është një ndër fshatrat karakteristike të bregdetit shqiptar. E vendosur vetëm 21 km larg qytetit të Sarandës në një pozitë mjaft të favorshme gjeografike, ofron për pushuesit mundësinë e përzgjedhjes së një pakete mjaft të kombinuar pushimesh.
Lukova është e pozicionuar midis qyteteve të Sarandës dhe Himarës, jo më larg se 30 minuta udhëtim, nga këto dy pika. Fshati shtrihet në dy kodra të veshura me plantacione ullinjsh dhe portokallesh në një lartësi prej 150 m nga bregu i detit dhe në bregdetin e saj të gjerë strehon një numër të madh plazhesh të përmasave të ndryshme, duke filluar që nga plazhet e vogla deri tek plazhet popullore të njohura për pushuesit shqiptarë, si plazhi i Shpellave dhe ai i Bunecit.
Natyra e paprekur, uji i kristaltë i Jonit me ngjyrën e veçantë, fshati me kalldrëmin e tij karakteristik, me shtëpitë e tij tipike me muret mbuluar me lule, plazhet e arta, flora dhe fauna e pasur detare janë vetëm disa nga sekretet që pushuesit zbulojnë në Lukovë. /atsh