Rudina Hajdari: “Edi Rama kërkon të mbysë të gjithë zërat që dalin në kundërshtim. Ky është rasti i paketës anti-shpifje”

Deputetja Rudina Hajdari në një deklaratë për mediat nga Kuvendi i Shqipërisë i bëri thirrje qeverisë shqiptare, që të tërheqë një orë e më parë paketën anti-shpifje, pasi sipas saj, kjo paketë cenon rëndë parimet demokratike.

Ajo akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin, Edi Rama, duke thënë se ai me këtë veprim po tenton të mbysë performancën e lirë të medias, por edhe zërat kritikë duke i dhënë AMA-s kompetencat e një gjykate.

“E kemi ndjekur me shqetësim ketë pjesë. Edi Rama kërkon të mbysë të gjithë zërat që dalin në kundërshtim. Ky është rasti i paketës anti-shpifje, ndërsa opozitën e ka kthyer në spektator dhe tani po përpiqet të mbysë edhe median.

Me këtë paketë ai kërkon të mbysë demokracinë në vend.

Shoqata e mediave ka kërkua që paketa anti-shpifje të rrezohet. Edi Rama i ka dhënë kompetenca të shtuara AMA, ato të gjobëvënies, që të mbyllë median on-line pa asnjë vendim gjykate. Gjobat janë të papërballueshme.

Të gjitha këto janë premisa për një censurë apo autocensurë të medias on-line. Para se të kemi këtë seancë, qeveria të tërheq këtë paketë anti-shpifje, pasi ne jemi para kryesimit të OSBE.

Ne duhet tu tregojmë partnerëve që jemi në gjendje ti dëgjojmë ata kur behët fjalë për proceset integruese dhe demokratizuese në vendin tonë.Të ndalim këto modele të Ramizimit të Shqipërisë.

Mos të shkojmë në Putinizëm apo Erdoganizëm. Kjo paketë është në kundërshtim të parimeve ndërkombëtare dhe të marrë në konsideratë opinionet e OSBE dhe BE për këtë çështje” – tha Hajdari.

Loading...