Përbërësit: 1kg tranguj të vegjël, 1kg karota, 1kg karfiol (lulelakër), 1kg lakër, 500gr domate të gjelbra, 500gr speca të gjelbër, 150gr kripë të trashë, 50gr sheqer, 150ml uthull të bardhë 9%, 100ml vaj.
Kujtesë: Kjo masë është për 8 kavanoza (teglla).
Përgatitja: Në një enë të madhe plastike, shtojmë 1kg karfiol të ndarë në pjesë të vogla. Më pas shtojmë 500gr speca të gjelbër të grirë imët, 500gr domate të gjelbra të prera imët, 1kg tranguj të vegjël të prerë në feta, 1kg karota të prera në feta të imëta, 1kg lakër të grirë imët.
Shtojmë 150gr kripë të trashë, 50gr sheqer, 150ml uthull të bardhë 9%, 100ml vaj (një gotë të vogël çaji). I përziejmë mirë të gjithë përbërësit dhe i mbulojmë me kapak duke i lënë të qëndrojnë për 24 orë.
Pas 24 orësh i mbushim kavanozat (tegllat) duke i shtypur mirë me lugë përbërësit derisa uji i tyre t’ju del përmbi. (Nëse ka mbetur lëng i tyre në enën e madhe ku ishin, merrni me lugë dhe ua hidhni secilit kavanoz ngapak).
Më pas marrim një tenxhere të madhe, i fusim kavanozat në të dhe e mbushim tenxheren gati plot me ujë të vakët. Tenxheren e mbulojmë me kapak dhe me një pecetë që të mos dali avulli. I vlojmë 40 minuta në temperaturë mesatare.
Pas 40 minutash i heqim kavanozat dhe i mbulojmë me një pecetë që të ftohen gradualisht, pastaj i ruajmë në një vend të freskët. Dhe më pas sallata turshi është e gatshme për t’u ngrënë pas 30 ditësh. Ju bëftë mirë! /pergatit.com