I ftuar në Ora News, Balliu i bëri thirrje demokratëve për një përballje totale dhe frontale me qeverinë.l
Duhet një mobilizim i fortë opozitar për ta sjellë ndryshimin që ju thoni?
“Është e nevojshme dhe e kërkon vendi, e kërkon shoqëria jonë, e kërkon demokracia për të cilët qytetarët kanë luftuar. E kërkon media e lirë, shtypi i lirë, e kërkon fjala e lirë. Unë i bëj thirrje gjithë kolegëve të mi, çdo anëtari të PD që ne duhet të shpallim gjendje të jashtëzakonshme politike, për një përballje totale dhe frontale me diktaturën”, u shpreh ish-deputeti demokrat.
Kush ta shpallë, kush e njeh këtë gjendje të jashtëzakonshme ?
“Gjendja e jashtëzakonshme politike do të thotë një aksion ballor, një përballje totale me qeverinë në çdo centimetër rrugë të shtetit shqiptar. Nuk mund të lejohet instalimi i narko-shtetit në Shqipëri, i cili është në përmbyllje të tij nga Edi Rama.
Paketa e anti shpifje vërteton që është thjesht dhe vetëm për dekretimin e diktaturës së narko shtetit në Shqipëri. Është thjesht dhe vetëm për ti mbyllur gojën gazetarëve.
Sot gazetarët, çdo qytetar duhet të bashkohet dhe të luftojë për demokraci, sepse demokracia dhe fjala e lirë nuk janë monopoli i opozitës, por janë të të gjithëve ne së bashku dhe është detyrimi ynë kombëtar që ti përgjigjemi këtij diktatori që i ka nxirë jetën qytetarëve shqiptarë”, tha Klevis Balliu.