Gjykata e Gjirokastrës ka liruar biznesmenin shkodran, Lulzim Kulla, i njohur për atentatin me tritol që iu bë 10 muaj më parë. Lajmi për lirimin e Kullës konfirmohet për “BalkanWeb” nga avokati i tij Detar Hysi. Sipas avokatit Hysi nuk provohet fajësia ndaj klientit të tij.
Kujtojmë se Kulla u arrestua pasi u kap në pikën kufitare të Kakavijës me një pasaportë të falsifikuar në tentativë për të ikur në Greqi.
Kulla rezulton se në korrik të vitit 2014 është pajisur me një pasaportë me të dhëna të falsifikuara. 43-vjeçari ka aplikuar me shenjat e gishtërinjve dhe fotografinë e tij, por me emrin Alfons Deda, për pasaportë në Durrës, duke përdorur kështu identitetin e një personi tjetër. Pasi ka tërhequr pasaportën, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se të dhënat e tij nuk përkojnë me identitetin e dhënë. Kulla u vu në qendër të vëmendjes së publikut në janar të këtij viti, kur u bë objekt i një atentati me tritol në qytetin e Shkodrës./Balkan web/