Gjatë pesë viteve të fundit, Kroacia ka qenë një atraksion turistik për arsye të forta.
Ky shtet i Ballkanit ka një vijë të bukur bregdetare, fshatra historike dhe çmime shumë të favorshme.
Në fakt, janë aq të favorshme, saqë në kryeqytetin e saj piktoresk, në Dubrovnik, u xhirua “Kings Landing” e serialit të famshëm “Game of Thrones”.
Një goxha ”grusht shteti” kinemaje. Megjithatë, që kur u bë kaq e njohur, Kroacia nuk mund të pretendojë më se është thesar i pazbuluar i Europës.
Është plotësisht e zbuluar, gjë që do të thotë se Kroacia duhet ta kalojë këtë nder te fqinja e saj jugore, Shqipëria, shkruan prestigjiozja ”Vogue”.
E kufizuar në jug nga Greqia, Shqipëria, me vijën e saj bregdetare mesdhetare të lakmueshme, është një vend me një peizazh tepër të larmishëm duke filluar nga plazhet e këndshme, deri te malet e mbuluara me dëborë dhe burimet termale të listuara në trashëgiminë botërore të UNESCO-s.
Para se të rezervoni biletën për në Shqipëri, duhet të dini se 50 vite sundim komunist nuk ia lehtësuan gjërat shqiptarëve. Në vitin 1999, ata thjesht kaluan në ekonominë e lirë të tregut.
Vizitoni muzeun “Shtëpia e Gjetheve” në kryeqytetin Tiranë, për të parë çfarë ndodhte pas Perdes së Hekurt dhe për të kuptuar se çfarë kaloi populli në atë periudhë. Gjatë sundimit komunist në Shqipëri nuk kishte investime të shumta në infrastrukturë, ndaj mos prisni që rrugët, autobusët dhe trenat të operojnë në të njëjtat nivele si në Gjermani ose Francë.
Duke thënë këtë, arsyeja e zgjedhjes së një udhëtimi pak më të ndërlikuar janë çmimet e ulëta. Atje mund të hani në restorante të shkëlqyera dhe të flini në hotele të mira me gjysmën e çmimit që mund të paguanit në vendet e saj fqinje, si Greqia apo Kroacia.
Nëse nuk keni shumë kohë në dispozicion dhe dëshironi që gjërat të ecin pa problem, regjistrohuni te një agjent udhëtimesh dhe ai do të planifikojë detajet për ju. Do t’ju duhet kohë maksimale për të shijuar këto pamje./atsh