Ndahet nga jeta një prej themeluesve të PD-së

Është shuar në moshën 59-vjeçare një ndër udhëheqësit e Lëvizjes Studentore të 8 Dhjetorit 1990, Myftar Gjana. Ai vuante nga një sëmundje e rëndë.

Ish gazetari dhe diplomati Myftar Gjana do të përcillet për në banesën e fundit sot, në orën 13:00.

Gjana ishte një nga drejtuesit kryesorë të lëvizjes studentore në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe pjesëmarrës në grevën e urisë së shkurtit 91′.

Ai ka qenë mjaft aktiv në krijimin e Partisë Demokratike në rrethin e Kukësit. Myftar Gjana lindi më 10 maj 1960 në qytetin e Peshkopisë. Gjimnazin e kreu në qytetin e Kukësit në vitin 1978, ndërsa studimet e larta i kreu në vitet 1986 – 1991 në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë. Nga viti 1991 – 1992 ka qenë kryeredaktor i gazetës “Kosova”, ndërsa në vitet 1992 – 1996 ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme si drejtor i Drejtorisë së Shtypit.

Në vitet 1993 – 1994 kreu Akademinë Mesdhetare të Studimeve Diplomatike në Maltë, ku fitoi edhe gradën “Master në Diplomaci”. Në vitet 1996 – 1997 ka punuar në Kuvendin Popullor në detyrën e Drejtorit të Departamentit të Informacionit dhe Dokumentacionit. Në vitet 2000 – 2001 ka punuar si administrator në Bibliotekën Kombëtare.

Loading...