Tashmë rëndom muzikën e mbushin tekste me një përzjerje dialektesh mes shqipes dhe kosovarçes, ku nuk merret vesh asgjë. Nuk ka burrë nëne tua dëshifrojë tekstin

Nga Mentor Kikia

Dua ti rikthehem debatit për festivalin e fundit në RTSH. Jo në kuadër të tifozerisë për vendin e parë dhe të dytë dhe as për fustanet e prezantueses. Por për dicka shumë më të rëndësishme.

Kënga ka tekstin dhe muzikën. Me muzikën nuk kam asnjë lidhje, thjeshtë e shijoj, kur ka shije. Sa për tekstin, kam lexuar aq poezi, sa mundem t’ia ndjej muzikën vargut, edhe pa patur kompozim.

Kam sjellë më poshtë pjesë nga teksti i këngës së Elvana Gjatës, shkruar nga vetë ajo.

Ti kam fal ty me tana

Me tana o me tana

Dashni me fal

O kush ka me ma nal?

A ma thua edhe sa

Duhet të pres ty me të pa

Ta di, dua ta di dhe sa

Kohën ndale ndale

Të shkoj ngadale ndale

O më ngadale ndale

Na na na na na

A shikon ndokush donjë fije poezi në këtë tekst? Unë them askund, as poezi, as mesazh, vetëm fjalë kuturru. Çfarë do të thotë “me tana”? Në shqipen zyrtare do të thotë “me të gjitha, me të tëra”. Në gegënisht thuhet “me të tana”. Ndërsa në elvanisht, shkurtohet në “me tana”.

Ai i mbani mend këngët, apo fituesit e mëhershëm të festivaleve që ua zbardhnim tekstin me një të dëgjuar?

Ja një këngë, e kënduar së pari nga Luan Zhegu.

Bregut detit, një vajzë e menduar

Flokët, era lehtë ja përkëdhel

Rreze dashurie hedh në zemër Hëna

Hëna, yjet, zhyten thellë në det

Është poezi, ka figura letrare…

E mbani mend këtë këngën e Parashqevi Simakut?

Kanë një botë me ëndërra

Janë të vegjël shumë

Mos lëndoni nënat

Syrin e pagjumë

Mos ua prishini dashurinë

Mos ua prekni lumturinë

Askërrkush mos të provojë

Se nënat su lejojnë

Kjo dorë që tundi djepin

Gjithë botën e sundon….

Ka poezi dhe një mesazh të fortë social.

Nëse zbresim më tej, tek motivet patriotike, ja një këngë himn e Vaçe Zelës.

Eh i fortë po shndrit ai diell

dhe burimi këngës lugjeve

i përcjell.

Eh i fortë po ngroh ky diell

edhe trimat nëpër mend mi sjell,

mi përkëdhel.

Po ku ka si ti, moj Shqipëria ime,

Oh fisnikja përmbi gur.

Rrjedh në këngë e ligjërime,

ballëlarta me flamur!

Kujtojmë edhe këngët e Irma Libohovës, Kozma Dushit, Francesk Radit, Myfarete Lazes… Poezi e gjallë, kushtuar dashurisë, jetës, natyrës, vendit…

Çfarë ka ndodhur pandalshmërisht këto tri dekada?

Teksti dhe kompozimi u bashkuan në një dorë. Tregtarë këngësh, që nuk lanë këngë rome në Rumani e Bullgari pa përkthyer e shitur tek këngëtarët shqiptarë, të cilat janë ngjitur deri në skena festivalesh. Degradimi është kaq i pamëshirshëm, sa sot ne mund ta dallojmë lehtësisht një këngë sllave, greke, italiane, turke e arabe.

Por shqiptare jo, këngët shqiptare nuk kanë identitet. Ato janë një miks, me tinguj sllavë, kërcim arab, tallava turke…. Tashmë rëndom muzikën e mbushin tekste me një përzjerje dialektesh mes shqipes dhe kosovarçes, ku nuk merret vesh asgjë. Nuk ka burrë nëne tua dëshifrojë tekstin. Kjo kompensohet nga këngëtarka fryrë me silikon, që kanë shpikur zhanrin e të parës muzikë, që nuk ka nevojë të dëgjohet, por vetëm shikohet. Apo prezantueze pa brekë, e prezantuese që ndërrojnë fustanet pas çdo kënge.

Kompozitorët shqitarë u ankuan pse janë pranuar të huaj. Por nuk thanë nëse morën pjesë në konkurim, apo qëndruan tek klubi i lagjes. Në Shqipëri ka talente të jashtëzakonshëm, me vokale të mrekullueshme. Një ndër ta është edhe Elvana Gjata. Talent show-t kanë zbuluar të rinj fantastikë. Por ata nuk mund të jetë edhe këngëtarë, edhe kompozitorë, edhe autorë tekstesh, pasi përfundojnë “me tana” pastaj.

TVSH, si organizatore e këtij eventi, është para faktit se ky është mielli, këto janë prurjet.

Por unë them JO!

Kësaj shëmtie i duhet dhënë fund. Të ngrihet steka. Le të bëhët festivali edhe me 5 këngë, me një fustan dhe me pesë llampa, si ato të Kavajës që ndriçonin dikur skenën ku këndoheshin këngë të mrekullueshme. Duhet të vendosen standarde. Festivali i RTSH është pronë publike, ai ka për detyre të ruajë muzikën, e jo ti dorëzohet shijeve të tregtarëve të muzikës dhe palaçove të rrugës.

Tregu është i hapur. Kush dëshiron ti këndojë kokainës, seksit, përdhunimit, me tekste banale, ordinere, të dalë në rrugë, të shkojë në mejhanet e lagjeve të japë koncerte.

Por jo në atë skenë, ajo është muzeu i këngës shqipe.

Pak vite me parë, shikuam një dokumentar italian mbi Tiranën që po zhvillohet. Reportazhi ishte shoqëruar me një muzikë, si ajo e atyre që u bien qypave ditën e Kurban Bajramit rrugëve të Tiranës. U ndjemë të fyer. Por dikush na kujtoi: A nuk është kjo muzika që dëgjojmë kur hipim në taksi, në furgon, në autobuz, e madje edhe në skenat e festivaleve? P.S: Nuk më interesojnë Like-t, me intereson një debat për këtë çështje. Ndaj, lu lutem, shpërndajeni këtë postim.

Loading...