Pas importit të miellit me çmim të lirë dy vite më parë, këtë vit kanë vërshuar në tregjet shqiptare 4,6 mijë tonë qumësht bruto nga Serbia për llogari të fabrikave shqiptare.
Prodhuesit bëjnë thirrje se qeveria shqiptare paralelisht me bisedimet për lehtësimin e tregtisë duhet të mendojë të bëjë ekonominë e saj më konkurruese.
Blerina Hoxha
Në sfond të bisedimeve për “Minshengin” ballkanik vendi ynë ka nisur të vuajë pasojat në fushën e tregtisë, dhe pse kushtet e lehtësimit tregtar ende nuk kanë ndodhur.
Pas vërshimit të miellit serb me çmim të lirë që çoi gati në faliment fabrikat e miellit në Shqipëri më 2017-ën, një kërcënim tjetër ka nisur këtë vit.
Tonelata me qumësht të pasterizuar po importohen nga Serbia dhe shtete të tjera fqinjë për llogari të fabrikave të mëdha të përpunimit të qumështit në vend. Arsyeja se pse fabrikat shqiptare po importojnë qumështin e papërpunuar nga Rajoni lidhet me çmimin e lirë, sidomos në Serbi, pasi atje subvencionohet i gjithë procesi i prodhimit blegtoral.
Gjatë nëntëmujorit 2019, importet e qumështit të papërpunuar arritën në 13 mijë tonë sipas të dhënave konfidenciale nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Kjo sasi është sa 9 për qind e prodhimit të qumështit, që u grumbullua vitin e kaluar nga fermat shqiptare. Mbi 40 për qind e kësaj sasie u importua nga Serbia.
Më herët, administratorët e fabrikave të përpunimit të qumështit kishin pohuar se, importi i qumështit bruto nga Ballkani është më me leverdi se blerja nga fermerët në tregun vendas. Fabrikat gjithnjë e më shumë po preferojnë të importojnë lëndën e parë, por kjo tendencë do të thotë faliment për blegtorët shqiptarë dhe rënie drastike e fitimeve të tyre.
Ndërsa bizneset prodhuese në vend janë alarmuar nga konkurrenca, që po vjen nga Rajoni, pak ditë më parë në Tiranë u mbajt takimi i tretë i radhës ndërmjet Kryeministrave të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë për krijimin e një zonë “Minishengen” në themel të së cilës do të jetë lehtësimi i tregtisë, duke hequr barrierat doganore për mallrat e shërbime.