I ftuar në emisionin “Java” në RTSH, Rama tha se zgjedhja e anëtarëve nuk ka qenë perfekte, por sipas tij solli një pastrim të sistemit.
Ai shtoi se viti 2020 mund të jetë viti më i shënuar për qeverisjen e tij.
Kjo sipas tij për shkak të rindërtimit dhe për shkak të një procesi historik në betejën me krimin.
“Procesi i formimit të SPAK është një proces kaq i rëndësishëm, strategjik për partnerët tanë, sidomos për ata amerikanë. Procesi i monitorimit është në alert maksimal.
Nuk bëhet fjalë që të ketë…se di si janë ndarë, e kush janë apo kush s’janë.
Është e pamundur që të ketë pas kësaj ‘anomalie’ një skenar që lidhet me kahjen e simpative apo njohjeve. Procesi nuk është se ka qenë perfekt, por ama ka prodhuar kapacitetin e paimagjinueshëm të një pastrimi të një sistemi.
Në pjesën e pastruar ka pasur gjykatës dhe prokurorë që fatkeqësisht kanë rezultuar të ndotur nga pikëpamja e raportit etik, por kanë qenë dhe njerëz me eksperiencë. Nga ata që kalojnë procesin ka dhe ata që s’kanë eksperiencë. Ky sistem është një kthesë historike në aspektin e pastrimit. Pjesa tjetër se sa dhe si ky sistem që po ngrihet do të jetë i paanshëm, kjo duhet provuar.
Mendoj se 2020 është një vit kyç. Për shumë arsyeje mendoj se ky vit mund të jetë viti më i shënuar për qeverisjen time, për shkak të rindërtimit, për shkak të një procesi historik në betejën me krimin, që nis me një rindërtim nga shtetit në themelet e krimit. S’merrem me bixhoz politik, por me shah politik. Në këtë histori është dhe Fanti dhe Çupa”, tha ai.