Arbër Çekaj, i akuzuari për trafikimin e 613 kg kokaine kolumbiane në Shqipëri, kërkon përjashtimin e prokurorit të çështjes, Edvin Kondili.
Çekaj pretendon se është proceduar vetëm për shkak të mbiemrit të tij Kuliçaj.
“Unë jam në burg se jam nga Tropoja, se kam një mbiemër që nuk i pëlqen prokurorit”, tha Çekaj. Sipas tij, prokurori ka manipuluar provat dhe ka përhapur lajme që unë kam nxjerrë emra bashkëpunëtorësh, duke vënë kështu në rrezik jetën e familjarëve të tij.
“Unë nuk do ta bëja këtë për familjen e prokurorit, pasi nuk dëshiroj cenimin e tij apo familjarëve të tij”, tha Çekaj.
“Ky prokuror kaloi vetting-un në kurrizin tim dhe u bë pjesë e SPAK. E ka personale me mua dhe familjen time.
Unë nuk mund të vazhdoj me të. Nëse SPAK nuk ka një prokuror në këtë vend, të bëhet si Champions League, të merret nga Serbia, meqë tani kemi marrëdhënie të mira. Nuk e di çfarë keni me familjen Kuliçaj. Do vijë dhe e drejta ime, në rrugë ligjore, normalisht”, shtoi Çekaj.
Ndërkohë, prokurori Kondili tha se kërkesa është e padrejtë: “Nuk njoh asnjë mbiemër dhe nuk kam asgjë personale. Sa për kërcënimet, nuk më frikësojne dhe as nuk ia këshilloj të pandehurit”.
Kërkesa e Çekajt u refuzua nga gjykata. Në vijim, Çekaj dhe dy të bashkëpandehurit kërkuan të lirohen nga qelia.