Gjatë një takimi për sigurinë me deputetë dhe ish-deputetë të parlamentit shqiptarë gjenerali amerikan, Michael Barbero, i cili ndodhet në Tiranë ka pohuar rrezikun e një hakmarrje të mundshme të Iranit edhe ndaj vendit tonë.
Ai deklaroi se çdo aleat i SHBA mund të jetë shënjestër dhe për këtë arsye kërkoi që Shqipëria të jetë vigjilente, sepse mund të jetë në rrezik.
‘Fatkeqësisht çdo mik i SHBA apo aleati ynë mund të shikohet si një shënjestër.
Për këtë vigjilenca është mjaft e rëndësishme veçanërisht në fushën kibernetike, pasi Irani ka disa aftësi mjaft të sofistikuara për sulmet kibernetike.
Për këtë arsye Shqipëria duhet të tregohet mjaft vigjilentë në përpjekjet kundër terrorizmit dhe kundër sulmeve kibernetike’, u deklaroi ai.
Por paralelisht me këtë shqetësim rreziku gjenerali amerikan siguroi Shqipërinë se NATO është e gatshme që të ndërhyjë në çdo rast rreziku ndaj çdo anëtari të saj.
‘Ka ardhur momenti që partnerët aleatë të qëndrojnë të fortë dhe nuk duhet të vazhdojnë të kërkojnë falje për vrasjen e Soleimanit por është momenti të thonë nëse janë kundër terrorizmit apo jo. Nuk mendoj se ka një konflikt global në horizont.
NATO duhet të intensifikojë mbështetjen e operacioneve në Irak. NATO është një aleancë që vazhdon të jetë e rëndësishme dhe vepron në mënyrë të përshtatshme. Mendoj që NATO do të reagojë ndaj çfarëdo lloj sulmi do ti bëhet ndonjë prej shteteve anëtarë të saj’, shtoi gjenerali Michael Barbero.