Leo, djali 9-vjeçar, i cili e adhuron shkollën dhe ëndërron që një ditë të ecë me këmbët e veta drejt saj, është drejt rikuperimit.
Ishte 31 dhjetori i vitit 2017, kur Leart Hasanllari, djali i vogël në karrocë me rrota, që vuan nga një sëmundje e rrallë kockash, i kërkoi Babagjyshit një makinë për ta çuar në shkollë çdo ditë.
Me rrobat e Babagjyshit në emision u paraqit vetë Kryeministri Edi Rama, i cili i bëri dhurata Leos së vogël dhe i premtoi se do t’ia realizonte kërkesën për një makinë për të shkuar në shkollë si dhe do ta ndihmonte në përpjekjet për t’u shëruar plotësisht.
Që pas asaj dite, Leo shkon në shkollë me makinë familjare dhe bën fizioterapi përditë në shtëpinë e tij.
Ndërsa sot, Leo i vogël, ka bërë provën për të mbajtur çizme, të cilat do ta ndihmojnë për të ecur dhe për të mbajtur këmbët në pozicionin e duhur.
Mamaja e tij, Anxhela në një rrëfim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare thotë se Leo tashmë është më mirë. “Pas fizioterapisë, ai e mban më mirë ekuilibrin, sepse më parë rrinte pak i kërrusur. Terapeutistët vijnë çdo ditë në shtëpi për të kryer seancat e terapisë, për të ndihmuar Leon”, tha ajo.
Anxhela nuk harron të falënderojë Kryeministrin Edi Rama, që bëri të mundur realizimin e ëndrrës së Leos, që të shkojë në shkollë me makinë dhe më pas për fizioterapinë.
“Falënderoj me shpirt Kryeministrin Rama për gjithçka ka bërë për djalin tonë Leo”, thekson ajo.
Mamaja e Leos, tregon se “sot bëmë provën e çizmeve, pasi ato që kishte më parë i kishte të vogla e shtrëngonin që të ecte. Folëm me ministren së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe falë saj u bë e mundur të që të porosisim çizmet e reja”, theksoi Anxhela.
Leo, shprehet ajo ndihet më mirë dhe është i lumtur.
“Shkon çdo ditë në shkollë, e kam regjistruar edhe në një kurs anglishteje, ndërsa merr pjesë edhe në aktivitete të organizuara nga UNICEF për të drejtat e fëmijëve”, shprehet Anxhela.
Nëse Leo do t’i shkruajë sërish babagjyshit, Anxhela thotë se “Leo i shkruan çdo vit letër babagjyshit, çdo vit ai bën nga një letër për babagjyshin”.
“Çdo vit, që kur ishte i vogël i tregonim që babagjyshi ia ka lënë dhuratën poshtë pemës”, shprehet ajo.
/atsh