Një ditë pas vendimit të shpallur nga Ministria e Brendshme për ndalimin e importit të kapsollave dhe tregtimit të tyre, policia e Tiranës ka nisur një plan masash për kontrollin e dyqaneve dhe tregjeve që tregtojnë apo shesin lëndë plasëse dhe piroteknike.
Policia e Tiranës në zbatim të planit të masave për kontrollin e dyqaneve dhe tregjeve që tregtojnë apo shesin lëndë plasëse e piroteknike, ka ushtruar kontrolle në dyqanet dhe tregjet e qarkut Tiranë.
Policia bën me dije se gjatë kontrolleve, u konstatuan dy subjekte (dyqane) që mbanin dhe tregtonin lëndë piroteknike në mospërputhje me kushtet dhe kriteret për mënyrën e magazinimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike, të cilat u sekuestruan.
Materialet janë referuar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për shkeljen e konstatuar në ngarkim të pronarëve të këtyre subjekteve, shtetasve: Xh. Rr., 58 vjeç, banues në Tiranë. Në dyqanin e tij në rrugën “Hamdi Pepo” ky shtetas mbante dhe tregtonte produkte piroteknike në mospërputhje me kushtet dhe kriteret për mënyrën e magazinimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike.
Gjithashtu, materialet ia janë referuar prokurorisë edhe për shtetasin – D. K., 44 vjeç, banues në Tiranë.
Në dyqanin e tij në rrugën “Çamëria” ky shtetas mbante dhe tregtonte produkte piroteknike në mospërputhje me kushtet dhe kriteret për mënyrën e magazinimit dhe përdorimit të lëndëve piroteknike.
Policia deklaron se kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim në gjithë dyqanet dhe tregjet e qarkut Tiranë. /atsh