Ndahet nga jeta regjisori i filmit ‘Kapedani’

Një tjetër ikonë e plejadës së artë të kineastëve shqiptarë është ndarë nga jeta.

Fehmi Hoshafi, regjisori i njohur i filmave ‘Kapedani’, ‘Shoku ynë Tili’, ‘Zëvëndësi i grave’, etj ka ndërruar jetë ditën e djeshme në moshën 86-vjeçare.

Lajmin e trishtë e ka ndarë me publikun ‘Qendra Kombëtare e Kinematografisë duke shprehur edhe ngushëllimet për familjen e regjisorit të ndjerë.

Fehmi Hoshafi lindi në Tiranë më 28 Shtator 1934. Filloi të punojë në kinematografi si asistent i regjisorëve veteranë Hakani dhe Dhamo, në filmat e tyre Toka jonë, (1964) ; Vitet e para, (1965); Oshëtimë në bregdet, (1967); Gjurma, (1970).

Në vitin 1968 realizoi vetë spektaklin Estrada në ekran, i cili u xhirua nga Kinostudio në formën e një filmi artistik.

Prej suksesit që pati ky film, iu besua më vonë, në vitin 1972, regjia për kinokomedinë aq të dashur Kapedani, të cilin e realizoi së bashku me regjisorin Muharrem Fejzo.

Ky film shënon lindjen e kinokomedisë në kinematografinë shqiptare e që u pasua më vonë me kinokomedi të tjera po aq të dashura nga regjisori Hoshafi: Ëndërr për një karrige, (1984) dhe Zëvendësi i grave, (1987).

Në periudhën 1976 – 1990 realizon edhe filma të tjerë artistikë dhe dokumentarë, ndër të cilët, filmi Shoku ynë Tili nderohet me çmim në Festivalin Ndërkombëtar për Fëmijë e të Rinj, Giffoni, në Salerno, Itali.

FILMOGRAFIA

1967: Estrada në ekran

1972: Kapedani

1976: Thirrja

1980: Dëshmorët e monumenteve

1981: Shoku ynë Tili

1983: Dritat e qytezës

1984: Ëndërr për një karrige

1985: Melodi e pandërprerë

1987: Zëvendësi i grave

1987: Në emër të lirisë

1989: Pas takimit të fundit

Loading...