Dëshmia tronditëse në polici, si u përdhunua viktima në Mallakastër

Dëshmitë tronditëse të dy 16-vjeçarëve të akuzuar për vrasjen e ndodhur më datë 5 janar në Mallakastër zbardhin se si ndodhi ngjarja.

Në dosjen e plotë të Prokurorisë të zbardhur nga gazeta “Panorama”, thuhet se 26-vjeçari Ervis Zotaj e mohon përfshirjen e tij në vrasjen e Drita Saliajt, si dhe shoqërinë me dy të miturit, Luis Saliaj dhe Sindi Shehaj. Ndërkohë, dëshmia e këtij të fundit ka nxjerrë fakte tronditëse për ngjarjen. Fillimisht u dyshua se krimi në Gjerbës të Mallakastrës kishte ndodhur pas një grabitjeje në shtëpinë e 51-vjeçares.

Por 16-vjeçari ka treguar se gjithçka ka ndodhur pas pazareve për shitblerjen e hashashit. Sipas tij, i dyshuari Ervis Zotaj ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me 50- vjeçaren, i cili më pas, në bashkëpunim me Luis Saliajn, e ka lidhur viktimën duke e transportuar trupin për në rezervuarin e fshatit. “Është afruar te dritarja dhe ka parë që Ervisi i ka hequr me dhunë pantallonat Dritës e pas kësaj ka kryer marrëdhënie seksuale me të. Ndërkohë që Ervisi kryente marrëdhënie seksuale, Luisi ka dalë jashtë ku ka gjetur dy litarë, me të cilët e kanë lidhur Dritën.

Pas kësaj, Ervisi dhe Luisi i kanë futur në gojë një shall dhe e kanë nxjerrë jashtë duke e mbajtur në krahë dhe e kanë çuar te makina e Ervisit”, thuhet në dosje. Ndërkohë, nipi i burrit të viktimës, i vënë nën akuzë për “Vrasje me paramendim”, ka rrëfyer para oficerëve të Policisë Gjyqësore se nuk ka marrë pjesë në ngjarje, duke thënë se atë natë ka qenë 20 metra larg nga shtëpia e Dritës. Dëshmitë e tre të rinjve kanë qenë të ndryshme nga njëra-tjetra. Askush nga të arrestuarit nuk ka pranuar që të ketë dhunuar deri në vdekje shtetasen Drita Saliaj.

Mbi bazën e materialit të ardhur nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, me shkresën Nr.83, datë 08.01.2020, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka regjistruar procedimin penal Nr.11, datë 08.01.2020, në ngarkim të personave nën hetim Ervis Zotaj, Sindi Shehaj e Luis Saliaj, për veprën penale të “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 78/2 e 25 i Kodit Penal. Në mbrëmjen e datës 06.01.2020, në Komisariatin e Policisë Mallakastër është paraqitur shtetasja Mimoza Saliaj, bashkë me djalin e saj, personin nën hetim Luis Saliaj, banorë të fshatit Gjerbës, ku bëjnë me dije se nuk gjendet shtetasja Drita Saliaj, banore e të njëjtit fshat me ta dhe që banon vetëm, pasi bashkëshorti dhe dy fëmijët e saj janë jashtë shtetit si emigrantë. Po kështu, ata dyshojnë se autorë të zhdukjes së shtetases Drita Saliaj janë personat nën hetim: Ervis Zotaj, banor i fshatit Gjerbës dhe Sindi Shehaj, banor i fshatit Çerrilë. Me marrjen e njoftimit të mësipërm është ngritur grupi hetimor, i cili ka shkuar në banesën e shtetases Drita Saliaj.

Dosja e plotë

Nëna e Luis Saliaj

Nga shpjegimet e shtetases Mimoza Saliaj rezulton se është banore e fshatit Gjerbës, Mallakastër. Është e martuar me shtetasin Ardian Saliaj, i cili është i arrestuar për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike. Në datën 02.01.2020, bashkë me fëmijët e saj, Luisin (16 vjeç) dhe Orestin (13 vjeç), ka shkuar te prindërit në fshatin Rroms, Mallakastër. Sqaron se në datën 03.01.2020 Luisi ka dalë nga shtëpia për të shkuar në Fier. Ka pasur komunikime të vazhdueshme me të dhe nga përgjigjet e dhëna prej tij ka menduar se e gënjente për vendndodhjen e tij. Në datën 05.01.2020 ka komunikuar përsëri me Luisin dhe ai i ka thënë se ndodhej në Gjerbës.

Në datën 06.01.2020 ka shkuar në paraburgimin e Beratit për të takuar bashkëshortin dhe rreth orës 17:00-17:30 është kthyer përsëri në fshatin Rroms. Rreth orës 20:00 aty ka shkuar edhe Luisi, i shoqëruar nga Gëzim Ismaili (nipi i bashkëshortit të saj). Në bisedë me Gëzimin ka mësuar se Luisi kishte dijeni për rrethanat e zhdukjes së shtetases Drita Saliaj. Pas kësaj bisede e ka parë Luisin të shqetësuar dhe e pyet nëse ishte e vërtetë ajo që kishte mësuar nga Gëzimi. Kjo bisedë atë e ka shqetësuar shumë e ndërkohë ka filluar të dridhej e tensionohej shumë.

Pas kësaj, ka pasur interesim edhe nga të afërmit e tyre e në këto rrethana është paraqitur në Komisariatin e Policisë Mallakastër. Di që djali i saj Luisi ka pasur njohje me personin nën hetim, Ervis Zotaj. Po kështu, edhe me personin nën hetim, Sindi Shehaj, djali i saj Luisi ka njohje qysh në shkollën 9-vjeçare e se shoqëroheshin shpesh. Thekson se me Drita Saliajn dhe familjen e saj nuk kanë pasur asnjë lloj konflikti të mëparshëm.

Xhaxhai i Luisit

Nga shpjegimet e shtetasit Rakip Saliaj rezulton se është banor në lagjen “Kastriot”, Fier. Sqaron se Luisi është djali i vëllait të tij, Ardianit, i cili aktualisht ndodhet i arrestuar në Berat për kultivim të bimëve narkotike. Në datën 06.01.2020, bashkë me vëllanë e tij, Ilirin, kanë shkuar në fshatin Rroms, pas telefonatës së bërë nga shtetasja Mimoza Saliaj. Në bisedë me këtë të fundit kanë mësuar nga Mimoza gjithçka dinte dhe në këto rrethana kanë shkuar në Komisariatin e Policisë Mallakastër.

Ervis Zotaj mohon akuzat

Nga shpjegimet e personit nën hetim, Ervis Zotaj, rezulton se është banor i fshatit Gjerbës, Mallakastër. E ka njohur shtetasen Drita Saliaj, por thekson se nuk ka dijeni për rrethanat e vrasjes së saj. Ka në pronësi mjetin me targë AA 889 OY. Sqaron se në datën 04.01.2020, rreth orës 07:30, nga Gjerbësi, bashkë me babanë e vet, shtetasin Syrja Zotaj, kanë shkuar në Ballsh te motra e vet, Marsela Lalaj, e janë kthyer përsëri në Gjerbës të nesërmen, datë 05.01.2020, rreth orës 13:00.

Në datën 06.01.2020, me makinën e tij ka shkuar përsëri në Ballsh dhe është kthyer përsëri rreth orës 15:30 e nuk ka dalë nga banesa deri në momentin që aty ka shkuar Policia. E njeh personin nën hetim Sindi Shehaj, e ka shok e se për herë të fundit e ka takuar në datën 28.12.2019 në Ballsh. E njeh personin nën hetim Luis Saliaj, por nuk ka shoqëri me të. Për herë të fundit e ka takuar atë në datën 29.12.2019, rreth orës 14:30, te banesa e tij, kur ai ka shkuar ta takojë. Pretendon se nuk i ka të regjistruar numrat e telefonave të Sindi Shehaj e Luis Saliaj.

Dëshmia e Sindi Shehaj

Nga shpjegimet e personit nën hetim, Sindi Shehaj, i datëlindjes 13.07.2003, i pyetur në prani të psikologes Sonila Banushi, rezulton se është banor i fshatit Çerrilë, Mallakastër. Sqaron se i njeh personat nën hetim, Ervis Zotaj e Luis Saliaj, e se ata i ka shokë. Në datën 04.01.2020, rreth orës 22:30, e ka telefonuar Luis Saliaj, e i ka thënë që të shkonte në Gjerbës ta takonte pasi ashtu e kishte punën. Në këto rrethana është nisur me makinën e tij e ka shkuar te Luisi, ku janë takuar në afërsi të banesës së këtij të fundit. Në bisedë e sipër i ka thënë të linte aty makinën e tij e të merrte atë të Ervis Zotajt, pasi do të shkonin të merrnin hashash te shtëpia e Drita Saliajt.

Pas kësaj kanë shkuar te banesa e kësaj të fundit, ku sipas tij, Luisi i ka thënë që të mos hynte brenda pasi kishte pak punë. Ka pritur jashtë, ndërkohë që Ervis Zotaj e Luis Saliaj kanë qenë brenda duke pirë kafe me shtetasen Drita Saliaj. Pas rreth 20 minutash e ka thirrur Luisi e është futur brenda, ku Drita i ka dhënë një gotë raki. Gjatë kohës që po pinte gotën e rakisë Luisi, është ngritur me pretendimin se do shkonte në tualet, por në të vërtetë është futur në dhomën tjetër e ka dalë prej andej me një pako hashash. Këtë të fundit e ka lënë te pragu i derës e është futur përsëri në kuzhinë.

Pas kësaj, Luisi ka kërkuar që hashashin ta blinte me 50 euro, ndërsa Drita thoshte me 200 euro. Ndërkohë, Luisi i ka thënë që të dilte jashtë e ta priste te makina. Kur ka dalë jashtë, ka dëgjuar të bërtiturat e Dritës. Është afruar te dritarja dhe ka parë që Ervisi i ka hequr me dhunë pantallonat Dritës e pas kësaj ka kryer marrëdhënie seksuale me të. Ndërkohë që Ervisi kryente marrëdhënie seksuale, Luisi ka dalë jashtë ku ka gjetur dy litarë, me të cilët e kanë lidhur Dritën. Pas kësaj, Ervisi dhe Luisi i kanë futur në gojë një shall dhe e kanë nxjerrë jashtë duke e mbajtur në krahë dhe e kanë çuar te makina e Ervisit. Makinën e ka drejtuar ai e Ervisi ka qëndruar me Dritën në sediljen e pasme, ndërsa Luisi në sedijen e parë të pasagjerit.

Pasi janë nisur, Luisi i ka thënë të ecte shpejt në drejtim të rezervuarit. Rreth orës 03:00 të datës 05.01.2020, kanë mbërritur te rezervuari, ku Luisi dhe Ervisi e kanë zbritur nga makina dhe e kanë hedhur menjëherë në ujë. Pas kësaj janë kthyer në Gjerbës ku ka marrë makinën e tij dhe është larguar për në banesën e vet, ndërsa Ervisi e Luisi kanë shkuar përsëri te banesa e Drita Saliajt.

Në momentin e ndarjes ata e kanë porositur që të mos tregonte për gjithçka ndodhi. Në banesë ka mbërritur rreth orës 04:30, datë 05.01.2020 e atë ditë nuk ka dalë nga shtëpia. Në datën 06.01.2020 ka çuar vëllezërit në shkollë e është kthyer përsëri në banesë, rreth orës 12:30. Në datë 07.01.2020, rreth orës 02:00, te banesa e tij ka shkuar Policia, e cila e ka shoqëruar për në komisariat.

Dëshmia e Luis Saliaj

Nga shpjegimet e personit nën hetim Luis Saliaj, i datëlindjes 14.07.2003, i pyetur në prani të psikologes Sonila Banushi, rezulton se, është banor i fshatit Gjerbës Mallakastër. Sqaron se është kthyer nga Greqia, në datë 23.12.2019. Në datën 26.12.2019, është takuar me personin nën hetim Sindi Shehaj, në Ballsh, të cilin e ka shok, e se janë njohur qysh në shkollë. Po kështu, ka shok edhe Ervis Zotaj, bashkëfshatarin e vet. Në datën 04.01.2020, është takuar me Ervis Zotaj, në Ballsh. Më pas, rreth orës 20:30, e ka marrë në telefon Sindi dhe i ka thënë se ishte me Ervisin, tek varrezat në Gjerbës, e njëkohësisht kanë qenë të gatshëm të shkonin ta merrnin.

Fillimisht nuk ka pranuar por më pas ka ndryshuar mendje dhe ata kanë shkuar dhe e kanë marrë. Në bisedë e sipër i kanë thënë se do të shkonin të merrnin hashash tek shtëpia e Drita Saliaj. Sqaron se kjo e fundit ka qenë nusja e xhaxhait të tij, shtetasit Hair Saliaj. Rreth orës 00:30, të datës 05.01.2020, janë afruar tek shtëpia e Dritës, ku vetë ka qëndruar rreth 20 m larg. Pas kësaj Ervisi e Sindi pasi kanë hyrë në oborr, kanë trokitur tek dera, duke thënë se ishte “Visi”. Pas kësaj Drita ka hapur derën e ata janë futur brenda, ku kanë qëndruar rreth 30 minuta.

Më pas kanë parë që Ervisi e Sindi e kanë nxjerrë Dritën të lidhur me duart mbrapa, po kështu edhe këmbët të lidhura dhe e kanë futur në makinën e Sindit. Sindi ka drejtuar makinën ndërsa Ervisi në vendin e parë të pasagjerit dhe janë larguar në drejtim të rezervuarit.

Pas kësaj është larguar vetëm në drejtim të Povlës, e se pas një ore është takuar me Ervisin e Sindin të cilët e kanë gjetur rrugës dhe e kanë çuar tek “24 Orëshi”, në Poçem. Pas kësaj Ervisi e Sindi janë larguar në drejtim rrugës së Hekalit.

Ka qëndruar në kafe, e rreth orës 05:30, aty ka shkuar Sindi, i cili e ka çuar në Rroms, tek shtëpia e gjyshit të tij. Në mbrëmjet e datës 06.01.2020, i ka treguar nënës së tij, Mimoza, atë që kishte ndodhur me Dritën, e pas kësaj kanë shkuar në Komisariat./ Panorama.al

Loading...